Itali, bien akuzat e evazionit ndaj Berlusconit

18/10/2011 17:15

Një Gjykatë në Milano vendosi të shpallë të pavlefshme akuzat për evazion fiskal ndaj Kryeministrit të vendit, Silvio Berlusconi, duke pezulluar kështu edhe procedimin që kishte nisur ndaj tij.

Megjithatë, u vendos vazhdimi i gjykimit të djalit të madh të Kryeministrit, Pier Silvio Berlusconi, ndaj presidentit të rrjetit informativ “Mediaset” dhe nëntë të pandehurve të tjerë. Seanca e parë do të zhvillohet në datën 22 dhjetor.

Gjigantët televizivë italianë janën nën hetim për dëmtimin e konkurrencës, duke abuzuar me të drejtat televizive të filmave të transmetuar ndër vite dhe fshehje të një pjese të fitimeve nga shteti. Berlusconi, pronari i rrjetit, nuk i ka pranuar kurrë akuzat dhe gjykatësja argumentoi në favor të çlirimit të tij nga hetimi, duke thënë se nuk ka prova që e lidhin 74-vjeçarin me çështjen.

”Të gjithë më pyesin nëse jam i kënaqur nga ky vendim. E vërteta është që nuk di në jam në gjendje të përgjigjem, pasi jam akuzuar për një faj që nuk ekziston në këtë planet ose në ndonjë tjetër”, u shpreh Berlusconi për Agjensinë Shtetërore të Lajmeve, “ANSA”.

Megjithatë, me rënien e këtij procesi nuk përfundojnë telashet gjqyësore të Berlusconit, i cili duhet të përballet me drejtësinë edhe për tre akuza të tjera, midis të cilave korrupsioni, mashtrim me taksat dhe marrëdhënie seksuale me të mitura.

Top Channel