Kryetari i komisionit parlamentar për integrimin në Serbi, Laslo Varga ka paralajmëruar qeverinë e Beogradit se vendi do ta pësojë si Maqedonia nëse vijon politikat që po ndjek aktualisht për Kosovën.

Varga ka theksuar se, si Maqedonia, që prej 6 vjetësh nuk merr dot datën për hapjen e bisedimeve për shkak të kontestit me Greqinë, do ta pësojë edhe Serbia.

Ai është shprehur se Beogradi duhet të trajtojë me realitet cështjen e Kosovës, ndryshe do të mbetet në vend numëro si fqinji i tij.

“Serbia mund ta pësojë si Maqedonia, e cila për shkak të kontestit të emrit nuk ka arritur që të nisë negociatat. Cështja e Kosovës dhe raporti i Serbisë ndaj saj pamundëson fillimin e negociatave. Politika serbe duhet të kuptojë se për momentin po lufton për një qëllim krejtësisht joreal”, ka deklaruar Varga.

Sipas tij, ndërhyrja e ndërmarrjeve serbe për shërbime të ndryshme në veri të Kosovës pa lejen e autoriteteve lokale bie ndesh me standartet dhe kërkesat e BE-së.

“Serbia duhet të pranojë kthimin e sundimit të ligjit në veri të Kosovës dhe në praktikë të bëjë thirrje për zbatimin e ligjeve të dala nga Parlamenti i saj”, ka nënvizuar Varga.

Gjithashtu, ai ka kërkuar që të respektohen dhe zbatohen plotësisht marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun me Prishtinën.

Vetë raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin paralajmëroi këto ditë Beogradin se bisedimet për anëtarësim do të hapen vetëm atëherë kur të jenë larguar strukturat paralele nga veriu i Kosovës.

Top Channel