Kryeministri Sali Berisha nuk ka bërë asnjë koment mbi deklaratat e një dite më parë të Presidentit Bamir Topi. Shefi i qeverisë u pyet nga gazetarët, por nuk preferoi të bëhet pjesë e debatit mes Presidentit dhe Kryetares së Parlamentit.
“Sot unë këtu jam në nderim të njëriut prej burrave më të mëdhenj të të gjitha kohërave”, komentoi Berisha.
Këtë deklaratë zoti Berisha e bëri gjatë vizitës së tij në kishën e “Zojës Ndihmëtare” në qendren e Don Boskos, ku ai ndodhej për të parë ekpozitën fotografike kushtuar përvjetorit të 33-të të pontifikimit të Papa Gjon Palit të Dytë.
“Dashurinë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët do ta dëshmonte me vizitën e tij të parë në Ballkan duke përzgjedhur Shqipërinë si vend të parë të rajonit për t’u vizituar”, tha Berisha në fjalën e rastit.
Në event ishin të pranishëm, Ministri i Kulturës i Polonisë, Bogdan Zdrojevski, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë disa ditore, homologu i tij shqiptar, Aldo Bumci si dhe Ambasadorja e Polonisë në Shqipëri, Irene Tatarzynska.
“Për shumë njerëz, largimi i Papa Gjon Palit II nga kjo jetë ka qenë një moment vendimtar për ta vështruar botën me sy tjetër, për ta parë me sy tjetër. Ky ishte momenti i madh i bashkimit të gjithë njerëzve rreth paqes dhe Atit të Shenjtë”, deklaroi ambasadorja polake, Irene Tatarzynska.
Papa i Shenjte e drejtoi kishën katolike për më shumë se 26 vjet, deri në ndarjen e tij nga jeta në 2 Prill 2005-s.
Top Channel