Kriza në Greqi është ndjerë shumë në zonën e Gjirokastrës, ku janë të përqendruara ndërmarrje të përbashkëta, kryesisht në industrinë e fasonëve.
Gjashtë biznese të mëdha rezultojnë të mbyllura prej dy muajsh për shkak të pamundësisë për të likuiduar faturat dhe mungesën e parave për të dhënë pagat.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Gjirokastër, Mustafa Devolli bën me dije se situata është duke u përkeqësuar.
Bizneset e fasonëve ishin ata që e ndjenë të parët koston e krizës financiare greke, që shqetëson gjithnjë e më shumë Athinën.
Ndërsa ndërmarrjet që prodhojne veshje për policinë apo ushtrinë greke nuk e kanë tërhequr prodhimin sepse ende nuk është miratuar një fond likuidimi.
Fluksi i lëvizjeve në pikëkalimin kryesor me Greqinë, atë të Kakavijes ka qenë sot minimal për shkak të situatës së paqartë dhe një greve të re të mundshme bllokuese që mund të vijë nga momenti në moment, grevë që sipas të gjitha gjasave pritet të jetë pa afat.
Gjithashtu, marrëdhëniet ekonomike të Shqipërisë me Greqinë janë në dobësim që prej vitit 2009, ndërsa volumi tregëtar është në rënie të vazhdueshme përsa i përket importeve dhe eksporteve.
Top Channel