Janë mbyllur dy ndeshjet e para të javës së pestë të Superligës Shqiptare, me Kastriotin dhe Laçin që arritën të fitonin në fushat e vështira të Bylisit dhe Tomorit, përkatësisht.
Ballshiotët, një prej skuadrave me rendimentin më të lartë brenda fushës së tyre, pësuan një gol të shpejtë nga Sebino Plaku, disavantazh që nuk mundën ta rikuperonin më deri në fundin e takimit.
Nga ana e tij, Laçi arriti një fitore me shumë vlera në Lushnje, ku Tomori luan ndeshjet e tij, për shkak të punimeve në stadiumin e Beratit. Për skuadrën e drejtuar nga Nevil Dede, diferencën e bëri një gol i shënuar nga pika e bardhë e 11-metërshit, nga serbi Trajkoviç.
Programi i kësaj jave vazhdon nesër me ndeshjet Flamurtari-Pogradeci, Vllaznia-Tirana dhe Skënderbeu-Kamza. Ditën e dielë, mbyllin javën takimet Dinamo-Shkumbini dhe Apolonia-Teuta.
Top Channel