Qeveria, e paaftë të menaxhojë TVSH-në

14/10/2011 08:00

Kryeministri Berisha iu përgjigj propozimeve të PS-së, se ulja e TVSH-së do të dëmtonte biznesin vendas. Qëndrimi i prerë i Kryeministrit ul shpresat për një manovër që do të mund të çonte në reduktimin e çmimeve. Në fakt, debati për bërjen zero të TVSH-së për disa artikuj bazë të konsumit, si mielli, qumështi, veza, dhe reduktimi në 10 për qind për vajin dhe sheqerin ka shkaktuar shumë reagime nga kampe të ndryshme të politikës.

Gazeta ‘Shqip’ bën të ditur se argumentet e paraqitura nga anëtarë të Komisionit të Ekonomisë, përfaqësues të mazhorancës, si Florion Mima dhe Selami Xhepa, tregojnë se nga ulja e TVSH-së, nuk përfiton tjetër, veçse i pasuri dhe tregtari, që ka mani të maksimizojë fitimet. “Praktikat e deritanishme kanë treguar, si në rastin e arsimit privat, se ulja e TVSH-së nuk sjell efektin e pritshëm, por vetëm fitim për biznesin”, thotë Mima, dikur zv/ministër i Financave, në mandatin e parë qeverisës të së djathtëve. Sa për të varfrit, Mima thekson faktin se ndikimi në xhepin e tyre do të jetë minimal, pasi janë të pasurit ata që konsumojnë më tepër. Kurse Selami Xhepa, ish-këshilltar i Kryeministrit Berisha, jep pak a shumë të njëjtin argument. Sipas tij, ulja e TVSH-së do të shtrembëronte strukturën e tregut, ndërsa uljet e kostos së prodhimit nuk do të shkojnë në favor të konsumatorit, por në xhepin e tregtarit.

Këto janë argumentet e para që në njëfarë mënyre rrëzojnë tezën e Kryeministrit se ulja e TVSH-së do të dëmtonte biznesin prodhues vendas. Dy ditë më parë, Kryeministri u shqetësua më tepër për biznesin, sesa për vetë konsumatorin, kur në fakt ekspertët e fushës analizojnë të tjera shkaqe.

Por ajo që konsiderohet fusha më problematike lidhet me menaxhimin e taksave. Vetë Ministria e Financave e pranon se një reduktim i selektuar i TVSH për disa produkte do ta bënte procesin më të vështirë në menaxhimin e mbledhjes së taksës. Këtë fakt e pranon edhe Mima. Sipas tij, administrata tatimore nuk ka eksperiencën e vendeve perëndimore në administrimin e taksave. Ndoshta do të duhen edhe disa vite të tjera për të eksperimentuar skemat e uljes së TVSH-së për kategori të caktuara.

Në fakt, ajo që i shqetëson më tepër palët ka të bëjë me mungesën e të ardhurave. Aktualisht TVSH mban 25 për qind të buxhetit dhe zë një peshë mbi 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Mimi Kodheli, deputete e PS-së dhe iniciatore e skemës së propozuar thotë se efektet nga ulja e TVSH-së përballohen nga buxheti i shtetit. “Përgjysmimi i TVSH-së për mallrat si vaj, sheqer dhe oriz kanë një efekt në buxhet në jo më shumë se 1,8 miliardë lekë. Ndërsa tatimi me 0% TVSH i grurit, miellit, bukës, qumështit dhe vezëve do të ketë një efekt jo më shumë se 1,9 mld lekë”, thotë Kodheli. Ministria e Financave thotë se deri në korrik, nga TVSH janë mbledhur 63.6 miliardë lekë, ose 0.6 për qind më pak se një vit më parë dhe 0.1 për qind më shumë se parashikimi në buxhetin e rishikuar për vitin 2011.

Top Channel