Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli ka denoncuar tentativat që sipas tij faktorë të caktuar po bëjnë për të fshehur kontributin e tij për njohjet e Kosovës.

Reagimi i numrit dy të qeverisë kosovare ka ardhur pas zyrtarizimit të njohjes nga shteti i Gabonit, veprim të cilin ai e kishte paralajmëruar që prej muajit të kaluar.

“Gjatë këtij muaji, disa persona skeptikë dhe me qëllime të caktuara kanë tentuar vazhdimisht të krijojnë konfuzion me paralajmërimet e zotit Pacolli për njohjet nga Gaboni dhe Nigeria”, ka deklaruar këshilltari i kreut të AKR-së, Jetlir Zyberaj.

Sipas tij, ka një tendencë për të minimizuar angazhimin e Pacollit për afirmimin e Kosovës si shtet në arenën ndërkombëtare, nëpërmjet sigurimit të njohjeve të reja.

“Mirëpo gjithashtu, ne jemi të vetëdijshëm se kjo tendencë e vazhdueshme po shkon në dëm të këtyre proceseve afirmuese të Kosovës”, ka theksuar Zyberaj.

Këshilltari ka nënvizuar se një pjesë të fajit për këtë e ka Ministria e Punëve të Jashtme, e cila nuk po i evidenton njohjet në faqen e saj të internetit.

“Na vjen keq që në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme mungon edhe njohja nga Nigeria dhe Bregu i Fildishtë, të cilët e kanë marrë vendimin për njohjen e Kosovës”, ka shtuar Zyberaj.

Top Channel