Gjykata e Krimeve të Luftës në Hagë hodhi poshtë propozimin e
prokurorëve, për të organizuar dy gjyqe të veçanta ndaj të dyshuarit për
genocid dhe mijëra vrasje në Bosnje, Ratko Mlladiç.

Ish-gjenerali i ushtrisë jugosllave është nën hetim për masakrën e Srebrenicës në vitin 1995 dhe për krime të tjera në Bosnje në fillim të vitit 1990.

Prokurorët argumentuan se duke ndarë procesin në dy gjyqe të ndryshme, do të kishin më shumë shanse për të treguar fajësinë e Mlladiç, në të njëjtën kohë që do të mundeshin të ndaleshin më shumë në detaje me vlerë historike, politike dhe shpirtërore për shumë të mbijetuar.

Megjithatë, gjykatësit cituan shëndetin delikat të gjeneralit, në hedhjen poshtë të këtij propozimi. 69-vjeç, Mlladiç u vendos nën pranga në muajin maj, në një fshat pranë Beogradit, por gjatë javës së shkuar u diagnostikua se vuante nga një formë e rëndë e pneumonisë dhe është shtruar në spitalin e burgut në Hagë.

Midis akuzave që rëndojnë mbi të është edhe ajo e shfarrosjes së të paktën 7 500 muslimanëve boshnjakë, në një ditë të vetme në Srebrenicë, në masakrën më të rëndë ndonjëherë në Europë, që prej Luftës së Dytë Botërore.

Akuzat që rëndojnë mbi Mlladiç
– Genocid ndaj boshnjakëve dhe kroatëve në territorin e Bosnje-Hercegovinës dhe në Srebrenicë.
– Persekutime.
– Shfarrosje dhe vrasje.
– Akte çnjerrëzore.
– Terror dhe sulme të paligjshme ndaj civilëve.
– Pengmarrje e personelit të OKB-së.

Top Channel