Ai Weiwei, artisti më i pushtetshëm

13/10/2011 00:00

Artisti kinez Ai Weiwei është vlerësuar si personi më i pushtetshëm në
botën e artit, në bazë të një ankete të kryer nga revista “ArtReview”.

Por Weiwei, i cili u lirua në qershor pasi u burgos për rreth 80 ditë nga autoritetet kineze, deklaroi se nuk ndihet edhe aq i pushtetshëm.

Revista tha se ai u zgjodh nga një panel specialistësh në bazë të aktitetit të tij politik dhe atij artistik. Botuesi i “ArtReview”, Mark Rappolt tha se vendimi nuk ka të bëjë shumë me politikën.

“Aktivitetet e tij i kanë mundësuar artistëve të tjerë të largohen nga ideja se puna e tyre mund të bëhet vetëm brenda një zone të privilegjuar të quajtur galeri ose muze”, deklaroi Rappolt.

“Ai prezantoi mundësitë se cfarë ju mund të bëni me artin dhe se si një artist mund të përdorë zërin e tij”, u shpreh ai.

Por qeveria kineze nuk e ka mirëpritur vlerësimin, duke deklaruar se përzgjedhja është bazuar në motive politike.

“Kina ka shumë artistë me aftësi të mjaftueshme. Ne mendojmë se një zgjedhje me baza politike shkel objektivitetin e revistës”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Liu Weimin.

Top Channel