AI: Stop abuzimeve në burgjet e Libisë

13/10/2011 09:55

Amnesty International ka kërkuar që autoritetet e përkohshme të Libisë t’i japin fund burgimeve arbitrare dhe abuzimeve me të burgosurit.

Në një raport, grupi i të drejtave të njeriut me bazë në Londër tha se ka prova të pastra për tortura dhe keqtratime të mijëra personave të burgosur në muajt e fundit.

Sipas AI, afrikanë nga zona nën-Sahariane, të dyshuar si mercenarë në shërbim të kolonelit Muammar Gaddafi, kanë qenë në vecanti viktima të këtyre keqtrajtimeve.

Nga ana e tij, Këshilli Kombëtar i Tranzicionit ka deklaruar se do t’i hetojë deklaratat e Amnesty International.


Arrestohet djali i Gaddafi-t?

Lajme të pakonfirmuara bëjnë të ditur ndërkohë se i biri i kolonelit Gaddafi, Mutassim, është arrestuar. Disa eksponentë të KKT-së thanë se ai është kapur në qytetin ku strehohet koloneli dhe familja e tij, Sirte.

Gjithësesi, autoritetet e Këshillit në Bengazi nuk mundën ta konfirmojnë lajmin, që ka shkaktuar festime me të shtëna në disa qytete të Libisë.

Nëse konfirmohet, kapja e Mutassim Gaddafi-t mund të përbëjë një depërtim të mëtejshëm të KKT-së në vendlindjen e kolonelit.

Mutassim ka qenë një oficer i lartë në ushtrinë e të atit si dhe këshilltari i tij për cështjet e sigurisë. Forcat e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit deklarojnë se, pas luftimeve të ashpra kontrollojnë pjesën më të madhe të Sirtes.

Top Channel