Tymoshenko, apelimi javën e ardhshme

12/10/2011 21:55

Avokatët e ish-kryeministres ukrainase, Yulya Tymoshenko do ta apelojnë dënimin e saj me 7 vjet burg javën e ardhshme.

Lajmin e ka bërë të ditur një nga përfaqësuesit ligjorë të lideres së opozitës, Yuri Sukhov për agjencinë e lajmeve “Interfax”.

Avokatët e heroinës së Revolucionit Portokalli kanë marrë 51 faqet e vendimit të së martës gjatë pasdites dhe po e analizojnë.

Tymoshenko u dënua me 7 vjet burg pasi u shpall fajtore për tejkalim kompetencash me nënshkrimin e një kontrate nafte me Rusinë.

Rezultati i procesit të Tymoshenko, i nisur nga fundi i qershorit, i mbajti tensionet të larta përgjatë gjithë verës.

Tani, me të gjitha gjasat, ai do të frenojë integrimin e Ukrainës në rrymën europiane, të cilën presidenti Viktor Janukovic e kërkon, edhe pse sic thotë “New York Times”, nuk ka rreshtur së flirtuari me Moskën.

Tymoshenko buzëqeshi kur gjykatësi dha vendimin, e më pas u ngrit në këmbë dhe thirri:

“Ky është një regjim autoritar që po e largon Ukrainën nga Europa. Zoti Janukovic po e kthen vendin mbrapsht në vitin 1937, në kohën e spastrimeve staliniste”.

Javët e fundit, diplomatë europianë e amerikanë kanë shfrytëzuar cdo rast për të paralajmëruar se burgosja e Tymoshenko do ta bënte Janukovic person “non grata” në kryeqytetet perëndimore dhe do të rrezikonte për më tepër tregtinë e lirë, si dhe Marrëveshjen e Asociimit me Bashkimin Europian, që është shumë pranë finalizimit.

Top Channel