Një naftëmbajtëse rrëmbehet pranë Nigerisë

11/10/2011 17:20

Piratët kanë rrëmbyer një naftëmbajtëse dhe ekuipazhin e saj pranë ujrave territoriale nigeriane, lajmëroi pasditen e sotme Zyra Ndërkombëtare e Lundrimit.

Sulmi ndodhi rreth 90 milje detare larg kryeqytetit ekonomik të vendit, Lagosit, gjithashtu një prej porteve më të rëndësishëm në Afrikë.

”Kjo është vepër e krimit të organizuar”, deklaroi drejtori i Zyrës Ndërkombëtare të Lundrimit, kapiteni Pottengal Mukundan.

Muajin e shkuar, Nigeria dhe fqinjët e Beninit vendosën të organizojnë patrulla të përbashkëta, për të luftuar piraterinë në Afrikën Perëndimore.

Ndonëse pirateria është shndërruar në një problem ndërkombëtar në ujrat pranë Somalisë, aktiviteti i saj është i lartë edhe në brigjet perëndimore të Afrikës.

Vetëm në Benin, gjatë vitit 2011 janë regjistruar 19 tentativa për pengmarrje anijesh, tetë prej të cilave të suksesshme. Në rastet e mëparshme, ekuipazhi është lënë i lirë pasi ngarkesa e mjeteve lundruese ndërrohet për në një anije tjetër, në ujra ndërkombëtare.

Top Channel