Inspektorët financiarë ndërkombëtarë lajmëruan se kanë arritur një marrëveshje me Greqinë mbi reformat e ardhshme që duhen ndërmarrë, çka do të sjellë automatikisht edhe lëvrimin e këstit të ardhshëm të huasë, për të cilën Athina zyrtare ka shumë nevojë.
”Kemi gjetur një marrëveshje mbi politikat financiare dhe ekonomike”, tha një inspektor për “BBC”. Greqia kishte kërkuar nga Banka Qendrore Europiane një këst të ri kredie prej 8 miliardë eurosh.
5,8 miliardë euro pritet të jepen nga vendet antare të BE-së, ndërsa 2,2 miliardë të tjera nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Suksesi i programit vazhdon të varet nga përqendrimi i investimeve nga sektori shtetëror në atë privat”, shkruhej në deklaratën e trojkës. “Qeveria greke ka dhënë garancitë e nevojshme që do të respektojë programin e miratuar në samitin e 21 korrikut, ku u miratua dhe plani i shpëtimit të ekonomisë greke”.
Javën e shkuar, Athina zyrtare lajmëroi se nuk mund të respektojë pritshmërinë e BE-së për shkurtimin e defiçitit buxhetor brenda normave të kërkuara, si pasojë e një rënie të mëtejshme në rritjen ekonomike.
Top Channel