Reforma zgjedhore, LSI kërkesë për krijimin e Komisionit

10/10/2011 00:00

Deputeti Vangjel Tavo njoftoi nga selia e Kuvendit, dorëzimin e kërkesës
së grupit parlamentar të LSI-së për ngritjen e komisionit parlamentar
për reformën zgjedhore.

Sipas projektit të LSI-së, ky duhet të jetë një komision gjithëpërfshirës, pa veto dhe pa kushte, ku duhet të përfaqësohen dhe të japin mendim jo vetëm partitë parlamentare, por edhe partitë që përfaqësojnë mbi 2% të elektoratit.

“Sot grupi i LSI depozitoi kërkesën për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore: komision gjithëpërfshirës, pa veto dhe pa kushte. Rëndësia e reformës zgjedhore si detyrim për integrim, cdo parti mbi 2% e elektoratit duhet të përfaqësohen dhe të japin mendimin e tyre në këtë komision”, tha Tavo.

Reforma zgjedhore është një ndër 12 prioritetet e vendosura nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, të cilin Shqipëria nuk arriti ta merrte.

Të dyja palët, si mazhoranca ashtu edhe opozita, kanë shprehur në distancë gatishmërinë për të bashkëpunuar për hartimin e saj, por konkretisht puna nuk ka nisur ende.

PS parashtroi edhe paktin për integrimin, ku mes 10 pikave renditet edhe reforma në fjalë, por me PD lindën menjëherë një sërë përplasjesh mbi përgjigjen që duhet të kthente mazhoranca mbi këtë propozim.

Muajin e kaluar, në ditën e fundit të qëndrimit në Tiranë, shefi misionit të OSBE-ODIHR, Jonathan Stonestreet theksoi domosdoshmërinë e një procesi reformues të Kodit Zgjedhor, ku  palët politike të ndërmarrin shumë hapa në mënyrë që zgjedhjet të bëhen vërtetë për popullin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA