Negociatat e tregtisë së lirë

10/10/2011 00:00

Shqipëria po niset në dizavantazh në negociatat e tregtisë së lirë me
Bashkimin Europian dhe vendet e rajonit, pasi autoritetet ende nuk kanë
vendosur propozimet finale, ne koordinim me interesat e biznesit, që do
dërgojnë në Bruksel për kuotat e eksportit.

“Do të jetë e vështirë për kohën që ka mbetur, për të patur disa propozime konkrete për mbrojtjen e sipërmarrjes shqiptare”, tha Bardhi Sejdarasi, nga ‘Business Albania”.

Para disa muajsh Kroacia ka bërë një propozim, që rrezikon të nxjerrë jashtë loje pjesën dërrmuese të eksporteve shqiptare. Zëvëndësministri i Ekonomisë, Enno Bozdo thekson se ky është vetëm një propozim.

Ministria e Ekonomisë thotë se edhe ajo do të dërgojë propozimet në emër të Shqipërisë, për t’ju përgjigjur kroatëve. Por gjithë procesi duket në kaos, pasi vetë biznesi është pak i përfshirë në negociata për të mbrojtur interesat e veta.

“Kemi dërguar informacion të shkruar, por deri më sot nuk kemi ende një reagim zyrtar. Do të vijë cështja në negocime dhe do të jetë shumë mirë që industria vendase të jetë prezente”, tha Bozdo.

Në maj Kroacia coi zyrtarisht një propozim në sekretaratine që mbikëqyr marrëveshjet e tregtisë së lirë me Bashkimin Europian dhe rajonin, ku kërkoi që vlera e shtuar e eksporteve shqiptare në vend të ishte 70 për qind, që të mund t’u njihej certifikata e origjinës. Ky propozim godet të gjitha eksportet shqiptare, pjesa dërrmuese e të cilave vjen nga industritë e përpunimit aktiv që bazohen në lëndën e parë duke mos u dhënë mundësinë të marrin certifikatën e origjinës dhe për rrjedhojë të taksohen kur hyjnë në BE.    

Top Channel