Ndërmjetësuesi i Bashkimit Europian në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, Robert Kuper nuk ka mundur ta bindë palën serbe për vazhdimin e dialogut teknik.

Rrjedhimisht nuk dihet se kur mund të rifillojë procesi i dialogut. Pas vizitës në Beograd, Kuper mbërriti në Prishtinë në orët e pasdites së hënë. Ai qëndroi në takim me kryeministrin  Hashim Thaci dhe zëvendëskryeministren Edita Tahiri për gati dy orë. Pjesë e takimit ishin po kështu Ministrja e Tregëtisë Mimoza Kusari dhe ajo e Integrimeve Vlora Citaku.

Kuper si pas cdo vizite edhe kësaj here u largua pa u prononcuar për mediat. Por qeveria e Kosovës lëshoi një komunikatë nëpërmjet së cilës shpreh vullnetin  për të vazhduar dialogun teknik me palën serbe.

Burime të Top Channel brenda takimit thanë se Kuper e njoftoi kryeministrin Thaci  për kërkesat e qeverisë së Serbisë. Sipas burimeve Serbia ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me futjen në axhendë dy  pikat kufitare në Veri të Kosovës.

Por sic mësohet, Kuper i ka kujtuar qeverisë së Serbisë se mandati i tij në këtë proces kufizohet vetëm me cështjet teknike dhe temat të cilat janë caktuar më parë dhe këtë ia komunikoi edhe qeverisë së Kosovës.

Sipas burimeve Kuper ka thënë se ‘do të vazhdojë përpjekjet për ta bindur palën serbe që të rikthehet në tavolinën e dialogut’. Nga ana tjetër sipas njoftimit të qeverisë, kryeministri Thaçi në takim ka theksuar se Kosova ka treguar përgjegjshmëri të lartë në procesin e dialogut, të cilin vlerësim e ndajnë edhe Brukseli dhe Uashingtoni.  

“Kosova e ka platformën e qartë me vijat e kuqe të cilat janë pavarësia, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm i Kosovës”. Më tej në këtë njoftim thuhet se Kosova ka axhendë euro-atlantike dhe po punon pa ndërprerë që rruga e integrimit në NATO dhe në Bashkim Europian të jetë sa më e shkurtër dhe që qytetarët e Kosovës t’i ndiejnë praktikisht të mirat që sjell procesi i integrimit dhe i reformave.

Në këtë kuadër, sipas qeverisë edhe dialogu për çështje teknike me Serbinë është rrugë përmes së cilës të dy  shtetet do të mund të zgjidhin çështjet e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe të interesit të ndërsjellë të qytetarëve të të dyjave vendeve.

Top Channel