Duka “ngel në klasë” kombëtaren

10/10/2011 20:25

Në prag të përfundimit të këtyre eliminatoreve të Euro 2012, presidenti i Federates Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, në një analizë ekskluzive për “TCH”, nuk i jep notën kaluese asnjërës prej palëve të përfshira.

Sipas kokës së futbollit shqiptar, në punën 2-vjeçare të bërë që prej nisjes së këtij aktiviteti, trajneri, lojtarët dhe institucioni që ai drejton kanë të gjithë përgjithësi në dështimin e ndodhur.

”Nuk mund të fajësojmë asnjë individ të vetëm për mosrealizimin e objektivave, pasi të gjithë bashkë janë fajtorë. FSHF, futbollistët dhe trajneri kanë faj që në ndeshjet e fundit nuk kanë arritur të ruajnë ritmin me të cilin nisën edicionin”, shprehet Duka.

Presidentit nuk i ka shpëtuar nga vëmendja mungesa e profesionalizmit të lojtarëve që morrën kartona ndaj Francës në Tiranë e në ndeshjen me Luksemburgun nuk ishin në dispozicion, edhe pse atëherë na duheshin më shumë se ndeshja në “Stade de France”, takimi i kthimit me gjelat e Blankut.

”Për mosrealizimin e objektivit ka disa arsye. Duke mbetur tek rezultati i Luksemburgut, futbollistët nuk u sollën në mënyrë profesionale ndaj Francës. Shumë morrën kartona të kotë, duke mos qenë në dispozicion të trajnerit në këtë takim. Është e qartë që trajneri nuk mbetet pa faj, por nuk do të ishte e drejtë që përgjegjësia t’i shkarkohet e gjitha atij”, shton drejtuesi më i lartë i futbollit shqiptar.

Megjithëse presidenti nuk e pranon ende zyrtarisht largimin e Kuzhes, trajneri i së ardhmes mund të jetë edhe një trajner shqiptar, gjë që në drejtimin e tij ka qenë pothuajse një “mollë e ndaluar”. “Pavarësisht se gjatë kësaj kohe kemi patur trajnerë të huaj, nuk është taksative që s’duhet të ketë shqiptare. E vetmja gjë e rëndësishme është që në krye të kombëtares të qëndrojë njeriu i duhur, me programin e duhur dhe në gjendje që të rrisë më shumë nivelin e ekipit”.

Mes emrave pretendentë për të marrë postin e trajnerit të përfaqësueses në të ardhmen janë disa ish-lojtarë që kanë luajtur e jetojnë jashtë vendit, me një tjetër vizion për futbollin. Megjithatë ajo që është më e rëndësishme është që çështja e trajnerit, në eliminatoret e ardhshme do të jetë një çështje e futbollit shqiptar duke filluar nga pankina. “Ka disa emra që kanë dhënë shumë për këtë kombëtare dhe që s’mund të mos merren në konsideratë”, shprehet Duka. “Besnik Hasi, është një ish-kapiten dhe figura e tij është shumë e respektuar. Vata, Strakosha apo Bledar Kola mund të jenë gjithashtu alternativa të perspektivës. E rëndësishme është të krijojmë vazhdimësi me njerëzit e duhur”.

Gjithsesi, ditën e martë Shqipëria luan ndaj Rumanisë ndeshjen e fundit të eliminatoreve Euro 2012, për t’u hakmarrë ndoshta për atë humbje 6-1, e mbi të gjitha ashtu siç thotë presidenti Duka, për të lënë një shije të mirë tek tifozët e pse jo një largim i mundshëm pozitiv i trajnerit Josip Kuzhe.

Top Channel