David Beckham fiton 35 mijë euro në ditë

10/10/2011 10:45

David Beckham nuk mund të quhet vetëm një futbollist që ka pasur një karrierë të shkëlqyer, por anglezi është një ikonë mode dhe një makineri që prodhon para falë imazhit të tij.

Që nga viti 2007 luan për amerikanët e Los Angeles Galaxy dhe ka veshur edhe fanellën e Milanit në formë borxhi, por mesfushori është marrë edhe me menaxhimin e imazhit të tij duke arritur fitime të mëdha.

Sipas tabloidëve britanikë, Beckham ka fituar gjatë vitit 2010 rreth 35 mijë euro në ditë, fryt jo vetëm i kontratës me ekipin e tij, por edhe nga kontratat publicitare.

Futbollisti 36-vjeçar ka fituar 6 milionë euro nga Los Angeles Galaxy dhe 14 të tjerë nga marrëveshjet me firma të ndryshme që kanë shfrytëzuar imazhin e tij.

Tashme Beckham po mendon një rikthim në Europë, ku francezët e PSG dhe anglezët e Tottenham po e ndjekin me interes sepse kontrata e tij në SHBA po skadon.

Top Channel