“Krimet e Zgjedhjeve” në Kosovë

10/10/2011 09:20

Një hulumtim i nxjerrë nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave akuzon drejtpërdrejt prokurorin e shtetit për amnisti të keqpërdoruesve të zgjedhjeve.

Raporti i quajtur “Krimet e Zgjedhjeve” tregon se ka pasur një dështim sistematik të tri hallkave të sistemit të drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e rasteve, siç thuhet, të krimeve të zgjedhjeve në Kosovë, në vitin 2007, 2009, 2010 dhe rivotimet e mbajtura në vitin 2011.

Për më tepër, sipas raportit problemet me manipulime nuk vijnë si pasojë e zgjedhjeve, por si pasojë e mos ndëshkimit të manipuluesve.

“Në këto 712 vendvotime janë përfshirë afër 5000 komisionarë për të cilët tanimë ekzistojnë prova, të cilat janë mjaft solide për Prokurorin e Shtetit që të ngrejë akuza ndaj të gjithë këtyre personave, mirëpo me atë që Prokurori i Shtetit ka ngritur akuza ndaj afër 500 personave i bie se Prokurori i Shtetit është duke amnistuar keqpërdoruesit e zgjedhjeve“, u shpreh Adem Gashi i Institutit KIPRED.Ndërsa, Betim Musliu nga KIPRED, ka thënë se është shqetësues fakti se deri më tani është shqiptuar vetëm një numër i vogël dënimesh ndaj atyre që morën pjesë në manipulimin e votave.
“Prokurori i Shtetit duhet t’i zgjerojë hetimet dhe duhet të orientojë ato në drejtim hetimit të veprës penale krim i organizuar, keqpërdorimet e shumta të paraqitura në PZAP dhe manipulimi në formularët e 712 vendvotimeve të identifikuara prej QNR-së, tregon për një përfshirje të një strukture të organizuar në manipulime, andaj prokurori i Shtetit duhet të urdhërojë hetime të detajuara në rastet e zgjedhjeve ku kontributin kryesor duhet ta kishte Prokuroria Speciale e Kosovës. Prokurori i Shtetit duhet të fillojë hetimet për dështimet e llambave dhe ngjyrës së padukshme”, deklaroi Musliu.

Për të gjitha këto kërkohet nga Prokurori i Shtetit që t’i orientojë hetimet në drejtim të veprës penale krim i organizuar për shkak të manipulimeve në zgjedhje. Për më tepër, KIPRED kërkon nga gjykatat komunale dhe Gjykata Supreme të shqiptojë dënime më të ashpra për manipuluesit e zgjedhjeve, ndërsa Prokuroria e Shtetit, Gjykata Supreme dhe Këshilli Gjyqësor duhet të harmonizojnë veprimet në drejtim të zgjidhjes me prioritet.

Top Channel