Ilir Yzeiri – Do të kisha dashur shumë që këtë shkrim ta ndërtoja në formën e një
letre të hapur për ish-ambasadorin J. Withers, por druaj se kështu do të
bija në një plagjiaturë jo fort të pëlqyeshme dhe se do të ngjaja me
një shqiptar emfatik dhe të leshtë që, një e dy, e gjen si formë më të
thjeshtë letrën e hapur për të shfaqur brishtësinë e individualitetit
dhe dobësinë e qenies.

Në këtë letër do të doja t’i tregoja se marrëdhëniet e mia dhe të gazetës “Shekulli” me ambasadën që ai drejtonte dikur janë ndërprerë për shkak të një shkrimi, se zëvendësi i tij zgjodhi aktin e lartë të “ndërprerjes së marrëdhënieve profesionale” me një gazetë, për shkak të një shkrimi. Se pas kësaj, në vendin e bukur të shqiponjave janë turrur që të gjithë që të tregohen dashnorë të etur për Amerikën dhe tani në terminologjinë e ditës është shtuar fjala kriticizëm, antiamerikanizëm dhe proamerikanizëm.

I dashur, zoti Withers! Bashkë ne jemi takuar vetëm një herë, në pritjen me rastin e ardhjes në detyrë të këshilltarit për shtyp Bix Aliu dhe unë nuk bëja pjesë te rrethi i gazetarëve që ju vizitonin apo që ju i prisnit për raste të veçanta apo të përgjithshme. Por kjo nuk më kishte penguar asnjëherë që të ruaja për ju një admirim të posaçëm, sidomos në rastet kur ju tregonit anën tuaj si amerikan dinjitoz dhe i kulturuar. Më kujtohet se, veç të tjerash, jini shprehur diku që vlerësoni dhe pëlqeni shumë poezinë e Fatos Arapit. Unë këto ditë kam botuar monografinë “Kadare, Agolli, Arapi – figuracioni në poezinë e viteve ‘60” dhe do të kisha shumë dëshirë t’ua dhuroja një kopje, por nuk e di si mund ta bëj këtë. Megjithatë do ta gjej mundësinë. I përmenda që të gjitha këto sepse këto ditë, i dashur ambasador Withers, ju kini pushtuar faqet e para të mediave, për shkak të kabllogrameve në fillim dhe për shkak sidomos të letrës suaj. Letra juaj është model i një teksti narrativ dhe argumentativ, i shkruar me një stil të lartë dhe që të mbërthen jo vetëm për renditjen e qartë dhe të saktë të të vërtetave, por sidomos për dinjitetin e thënësit. Ju e dini, i dashur ambasador Withers, se babi i teorive të akteve të ligjërimit, Austin thoshte se “të flasësh do të thotë të bësh”, domethënë të kryesh një akt. Searle, që e mori më pas këtë teori, shkoi më tej dhe bëri dallimin midis akteve që e realizojnë thënien, veprimin dhe të tjera që nuk e realizojnë veprimin. Kur ligjërimi nuk e realizon veprimin, ai quhet parazitar dhe në këtë formë, sipas tyre, ligjërimi përdoret në letërsi. U zgjata në këtë pikë, sepse teksti i letrës suaj i kishte të dyja këto nivele. Por unë do të doja të ndalesha te një anë tjetër. Pas atij teksti u shfaq edhe një herë tjetër një thënës dinjitoz, një autor serioz dhe krenar jo vetëm për shtetin që përfaqëson, por edhe për personalitetin e tij. Unë u përpoqa këto ditë që të gjeja se çfarë ka mbetur nga dinjiteti njerëzor dhe se a ka vlerë të flasësh sot për dinjitet apo për respekt dhe u ballafaqova natyrisht me të vërteta të njohura por gjeta tek-tuk edhe ndonjë të vërtetë tjetër. Pavarësisht këtyre, e kam shumë të vështirë të shpjegoj se përse bashkëkombësit e mi dhe qeveritarët e vendit tim kanë humbur dinjitetin, respektin dhe tolerancën. Këto ditë, siç edhe mund ta dini, i dashur ambasador Withers, u festua 20-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë. U kremtua me shumë bujë, ashtu siç e meriton një ngjarje e tillë. Mirëpo ajo që më sjell zorrët te gryka, siç i themi ne në shqip, ishte sjellja prej servilësh e qeveritarëve tanë, e gazetarëve që në klasifikimin e gjinive mediatike quhen mazhordomë, domethënë shërbyes të shkolluar që shndrisin në sallonet e servilizmit dhe të përunjësisë. Edhe në këtë rast u shfaq përsëri ajo ndarja fatale mes atyre që e duan Amerikën dhe të tjerëve që sipas ambasadorit të sotëm janë antiamerikanë. E gjithë kjo situatë, i dashur ambasador Withers, ka krijuar një atmosferë të ngrirë. Ju e dini si janë shqiptarët. Nga pikëpamja antropologjike, ne jemi të varur shumë nga një qendër e madhe. Nga Jugosllavia te Bashkimi Sovjetik, pastaj Kina dhe tani SHBA. Është e njëjta paradigmë. Ajo që ka ndryshuar është se tani cilët janë ata që e duan Amerikën dhe cilët janë ata që e kritikojnë apo cilët janë ata që nuk e duan, kjo ndarje dhe këto kritere tani vendosen nga ambasadori në detyrë i SHBA-ve në Tiranë. Por kjo ka pak rëndësi për dinjitetin njerëzor që ju na treguat edhe një herë me letrën tuaj, i dashur ambasador Withers. Ju na treguat se vlerat e larta të njeriut nuk mund të bjerren, se e vërteta duhet thënë në çdo rrethanë. Ju u detyruat të theksonit edhe një herë me dinjitet ato të vërteta që “Wikileaks” i tregoi në mënyrë të jashtëligjshme. Ju patët kurajën qytetare që, ndoshta edhe në mospajtim me vijën zyrtare të politikës së Departamentit të Shtetit, t’i ripohonit të vërtetat që përmbanin kabllogramet e dërguara prej jush dhe të zbuluara në mënyrë të paligjshme nga “Wikileaks”. Vija zyrtare e politikës së shtetit tuaj ka qenë se Departamenti i Shtetit nuk bën asnjë koment për “Wikileaks”. Mirëpo ju, duke parë se çfarë po ndodhte në Shqipëri dhe duke parë se si në këtë vend nuk respektohet e vërteta dhe se si manipulohet ajo, u detyruat që të ripohonit edhe një herë tjetër ato që kishit shkruar në kabllogramet e zbuluara në mënyrë të paligjshme nga “Wikileaks”. Ju treguat kështu se dinjiteti i një qytetari amerikan që nuk është më në shërbim të shtetit të tij, siç jini ju në këtë rast, është më i shenjtë se koniunktura politike e çastit. Ju na treguat edhe një herë se dinjiteti, kjo vlerë njerëzore ende jeton, nuk është shuar. Ju më detyruat i dashur ambasador Withers që t’i kthehem Dekartit e Kantit për të rilexuar edhe një herë tekstet e tyre për dinjitetin, dhe për të kujtuar thënien e famshme të Dekartit “Je doute donc je pense, je pense donc je suis” – Unë dyshoj, prandaj mendoj, unë mendoj, ndaj jetoj, do ta përktheja unë. Ndërsa Kanti, duke folur për moralin, thoshte se që të gjejmë vlerat universale të të gjithëve, pra që të ndërtojmë një moral për të gjithë, duhet të mbështetemi vetëm te një kriter – tek arsyeja.

Gazeta “Shqip”

Top Channel