”Një idiot në qarkullim”, ky është titulli metë cilën “Times” vendos në faqen kryesore, duke iu referuar kartonit të kuq të marrë në gjanxehtësi e sipër nga sulmuesi Rooney, në barazimin 2-2 të arritur në Malin e Zi, në një ndeshje kualifikuese të Euro 2012.
Jo më pak të ashpra edhe titujt e gazetave të tjera që nënvizojnë faktin se sjellja e papjekur e yllit të Manchester United rrezikoi të vendoste në rrezik kualifikimin për në evenimentin që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Poloni dhe Ukrainë.
”Ishte një gjest tërësisht i pajustifikueshëm, një budadallëk që mund t’i kushtonte shtrenjtë kombit të tij”, komentonte “Daily Mirror”. Dhjetë futbollistët e mbetur në fushën e zjarrtë të Podgoricës vlerësohen si heronj nga “The Guardian”, që titulloi: “Anglia brenda, Rooney jashtë”, duke iu referuar kualifikimit të ardhur pas barazimit të vuajtur.
Një pjesë e madhe e mediave e lidhi presionin me të cilin Rooney luajti në fushën e lojës me stresin që mund t’i ketë krijuar arrestimi i babait, i vendosur nën pranga vetëm një ditë më parë, për përfshirjen në një rrjet bastesh të paligjshme.
Top Channel