Siri, vritet figura e rëndësishme e opozitës

07/10/2011 18:50

Një figurë e rëndësishme e opozitës siriane, Mishaal al-Tammo, mbeti i vrarë në një shkëmbim zjarri në shtëpinë e tij në Kamishli, në Sirinë lindore, bënë të ditur aktivistët anti-qeveritarë. Ai ishte gjithashtu një antar i pakicës kurde.

Antari i “Human Rights”, Rami Abdel-Rahman, tha për mediat ndërkombëtare se katër vrasës hynë në banesën e tij dhe qëlluan Tammo-n me gjakftohtësi. Disa aktivistë të tjerë kanë dhënë të njëjtin version.

Nuk është ende e qartë se kush qëndron pas sulmit. Tammo ishte një kritik i deklaruar i regjimit të presidentit Bashar al-Assad, por kishte armiq edhe brenda partive kurde, të prirura drejt një kompromisi me qeverinë për respektimin e të drejtave të tyre.

Në një intervistë televizive të transmetuar në muajin korrik, Thammo lëshoi një thirrje publike për të ngritur njerëzit në një revoltë që do të rëzonte regjimin dhe do t’i sillte demokracinë Sirisë. Në të shkuarën, ai ishte burgosur për dy vjet për arsye politike.

Situata në vendin arab vazhdon të mbetet e tensionuar. Përvec civilëve, në fund të shtatorit shtatë ushtarakë dezertorë u vranë në një operacion kundër “terroristëve” në qytetin e Rastanit.

Pak pas kësaj ngjarjeje, Franca paralajmëroi Sirinë për “pasoja të padëshiruara” nëse do të vazhdojë të pengojë mbajtjen e protestave demokratike kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

Ndërkohë që të premten, një paralajmërim surprizë erdhi nga presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, i cili kritikoi ashpër homologun Assad, duke i bërë thirrje që të zbatojë reformat, ose të largohet. 

Top Channel