FMN paralajmëron qeverinë

07/10/2011 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar parlajmëron qeverinë shqiptare të ndryshojë
politikat financiare për të mos rrezikuar stabilitetin e vendit dhe
zhvillimin ekonomik.

Në një raport të fundit ku bën një skanim të hollësishëm të të gjitha vendeve europiane, FMN thotë se Shqipëria dhe Kroacia janë dy ekonomitë e vetme në zhvillim të Europës, që po përkeqësojnë financat publike pas krizës, në një kohë, kur shumica e qeverive të tjera po marrin masa të forta për t’i konsoliduar ato.

Dy vitet e ardhshme sipas FMN borxhi publik i Shqipërisë do të rritet edhe me 1 pikë përqindje tjetër, krahasuar me 2010-ën për të mbërritur në 59.2 për qind të Prodhimit Kombëtar në fund të vitit 2012. Edhe pse në disa vende të tjera të rajonit borxhi do të rritet më shumë përgjatë kësaj periduhe, FMN sërish vecon Shqipërinë si një nga vendet më të dobëta fiskale në Europë për dy arsye.

Së pari Shqipëria është vendi i dytë me borxhin më të lartë në ekonomitë në zhvillim të Europës, pas Hungarisë, me diferencë të theksuar nga vendet e tjera që vijnë më pas. Së dyti, një tjetër rrezik, sipas FMN, është pesha e madhe e borxhit afatshkurtër, që ka qeveria shqiptare.

Rreth 37 për qind e totalit të borxhit publik të vendit është me afat deri në 1 vit. Kjo shifër, që është mbi 4 herë më e madhe se mesatarja e rajonit e vendos qeverinë në një pozcion të vështirë dhe në nevojë të vazhdueshme për para, për të shlyer detyrimet ose për rinovimin e tyre.

Top Channel