Cani: “The Voice of Albania”, projekt madhështor

07/10/2011 19:10

Këngëtarja e mirënjohur Miriam Cani është rikthyer në Shqipëri për një qëllim shumë të veçantë, të jetë pjesë e “The Voice of Albania”, një program muzikor që do të jetë së shpejti në transmetim nga “Top Channel”.

Cani, e njohur për karrierën e saj në Gjermani, do të jetë trajnere e talenteve të ardhshëm, së bashku me tre artistë të tjerë të mirënjohur si Elton Deda, Alma Bektashi dhe Sidrit Bejleri.

”Jam shumë e lumtur dhe e kam ende të vështirë t’a besoj që jam përzgjedhur për të qenë pjesë e këtij emisioni. Është me të vërtetë një arritje e shkëlqyer për Shqipërinë, që arrin të sjellë një skenar të tillë madhështor, i cili do t’i lejojë fituesit të nisë një karrierë menjëherë në arenën ndërkombëtare”, shprehet Cani, shumë e emocionuar edhe për bashkëpunimin e saj të ardhshëm me antarët e tjerë të panelit.

”I njihja më parë, por i kam njohur edhe më mirë gjatë këtyre ditëve. Sidriti, Alma dhe Eltoni janë jo vetëm artistë shumë të talentuar, por të gjithë sigurojmë një ndërthurrje që përbën një bazë të sigurt për sukses. Është interesante sepse secili prej nesh ka karakterstika të ndryshe, këndon rryma të ndryshme muzikore dhe prandaj përzgjedhja e talentit më të mirë është e garantuar”.

Zhvendosja midis Shqipërisë dhe Gjermanisë nuk do të jetë një problem, as për Miriamin dhe as për partnerin e saj, Alban Skënderajn. “Do të qëndroj më gjatë se zakonisht në Shqipëri, ndërsa atëherë kur do të më duhet të kthehem, mund t’a bëj pa problem pasi prezenca ime këtu nevojitet mesatarisht një në dhjetë ditë. Albani? (Qesh). Ai është gjithmonë me mua”.

Miriam Cani, trajnere e “The Voice of Albania”

Miriam Cani, Elton Deda, Alma Bektashi dhe Sidrit Bejleri do të jenë trajneret “The Voice of Albania”, një “shoë” muzikor që do të nisë së shpejti në “Top Channel” me misionin e gjetjes së zërit më të talentuar shqiptar.

Në artikullin e publikuar të mërkurën në gazetën “Shqip”, veçohet fakti se për Canin bëhet fjalë për një rikthim në Shqipëri, pasi ajo u përzgjodh në Gjermani pikërisht midis konkurrentëve të një formati të njëjtë”.

Këtë herë, ajo do të jetë në anën e kundërt, në rradhët e trajnereve dhe garanton se emocionet do të jenë të njëjta si atëherë kur zbriti për herë të parë në skenë.

”Jam ndierë shumë e vlerësuar nga organizatorët që më ftuan të marr pjesë në këtë eksperiencë. Nuk e njihja mirë këtë format, prandaj u informova në internet për më shumë.

Pashë realizimin e tij në SHBA, Holandë dhe aktualin në Gjermani, ndërsa “The Voice of Albania” nuk do të ketë asgjë më pak se këto spektakle, prandaj pres të jetë një eveniment madhështor”, shprehet Cani në intervistën e saj.

Duke kujtuar emocionet e viteve më parë, kur shpërtheu në skenat gjermane për herë të parë, ajo shton: “Besoj se do ta kem pak më të vështirë se të tjerët.

Do ta kem të vështirë, edhe kur do të më duhet të jap ndonjë gjykim jo pozitiv, sepse e di shumë mirë se çfarë do të ndiejnë kandidatët dhe e di që emocioni luan rol shumë të madh.

Ka një sërë ndjenjash që përshkojnë konkurrentin në ato momente dhe gjithnjë mendohet se ky mund të jetë çast vendimtar për të ardhmen. Ndodh shpesh që ka zëra shumë të mirë, por çorientohen nga moskontrollimi i emocioneve.

Në këtë drejtim shpresoj që të katërt ne të përcjellim te konkurrentët një ndjenjë pozitive që ata të mos ndiejnë presion apo frikë. Është një ndjenjë shumë e çuditshme për mua të jem në anën tjetër të kësaj loje”.

Top Channel