Opozita, kritika Thacit për veriun

06/10/2011 00:00

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe lëvizjes Vetëvendosje, në
seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, kanë kritikuar qeverinë se
ka dështuar në vënien e rendit dhe ligjit në veri të vendit.

Deputetët e këtyre dy subjekteve kanë thënë se kryeministri Hashim Thaci nuk po bën asgjë tjetër vec deklaratave boshe në mediat e vendit.

“Lëvizjet e fundit të qeverisë po dalin joefikase dhe të paplanifikuara”, ka deklaruar deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili i ka thënë kryeministrit se cdo veprim i tij që dëmton integritetin e vendit do të quhet “tradhti”.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri është shprehur se situata në veri të vendit vetëm sa po përkeqësohet.

“Tashmë vetëm sa janë shtuar barrikadat, ndërkohë që qeveria cdo ditë po bind qytetarët se po shënon sukses”, ka thënë Ymeri.

Ndërkohë, nga radhët e PDK-së, deputeti Adem Grabovci ka mbrojtur qeverinë duke deklaruar se, “puna që ka bërë ky ekzekutiv është historike dhe gjërat në veri të vendit kanë ndryshuar për mirë”.

Top Channel