Lideri i kampionatit botëror të Formulës 1, Sebastian Vettel, u shpreh i matur në konferencën e shtypit para garës së Japonisë që do të zhvillohet këtë fundjavë.
Gjermanit i duhet vetëm një pikë për të siguruar matematikisht fitoren e titullit të tij të dytë si kampion bote, por piloti i Red Bull po pret që në fillim ta fitojë atë e më pas të festojë.
“Shumë njerëz thonë që botërori ka mbaruar, por edhe pse më duhet vetëm 1 pikë duhet ta fitoj atë. Shpresojmë që të kemi një fundjavë të mirë në Japoni sepse në këtë pistë jemi paraqitur shkëlqyeshëm në dy vitet e fundit”, u shpreh Vettel.
Vettel mund të humbë titullin nëse nuk merr asnjë pikë në katër garat e ardhshme dhe në të njëjtën kohë, piloti i McLaren Mercedez, Jenson Button, t’i fitojë të katër këto gara.
Britaniku u shpreh i kënaqur me zgjatjen e kontratës me skuderinë aktuale: “Më vjen mirë që do të kem ende mundësinë për të punuar me McLaren. Shpresojmë që në sezonin e ardhshëm të luftojmë më ashpër me Red Bull.”
Top Channel