“Patriotic Hypermarket” është shfaqja që ka marrë duartrokitjet më të gjata kohëve të fundit në teatrot beogradase.
Autorët Millena Bogavac dhe Jeton Neziraj, në regji të regjisorit boshnjak Dino Mustafic, kanë sjellë në skenë shfaqjen në shqip dhe serbisht që si kronologji rrëfen dhimbjet që sjell patriotizmi.
Ngjarje nga Kosova dhe Serbia, lufta, paragjykimet, rrëfime personale dhe tensionet që duket se rrinë në pikën e vlimit. Aktorët shqiptarë nuk janë përkrahur në Kosovë për shkak të betejës nacionaliste që disa njerëz bëjnë përmes teatrit, kurse në Serbi ka pasur forca sigurie. Edhe në projekte të tilla të rralla ndjenjat janë të përziera.
Serbët presin që të arrin në Prishtinë dhe Tiranë për të dhënë shfaqjen, kurse për disa nga aktorët kjo është një eksperiencë e veçantë.
“Jam i befasuar! Ka qenë një duartrokitje si në opera apo balet dhe s’kam pasur rast të përjetoj një gjë të tillë. Marrëveshja ka qenë që të shkojmë në Prishtinë e Tiranë, shpresoj që do të ndodhë”, thotë aktori, Millutin Milloshevic.
Aktorja e famshme serbe, Mirjana Karanovic, e akuzuar dikur që luante me boshnjakët, ka thënë se aktorët kanë qenë të jashtëzakonshme dhe shfaqja po ashtu. Tensionet politike janë të tejkaluara.
“Duhet ta dini se njerëzit që ndjekin teatrin janë të veçantë, nuk janë si të tjerët. Jam e sigurt se publiku këtu në Beograd do ta pranojë me kënaqësi këtë shfaqje dhe me respekt. Por, kudo tjetër, Prishtinë, Shkup apo diku tjetër do të jetë sukses i madh”, deklaron ajo.
Hipermarketi patriotik ka fituar simpatinë e shikuesve, por jashtë teatrit me sa duket shumë njerëz ende furnizohen në të.
Top Channel