Knox në SHBA: Jam shumë e prekur

05/10/2011 10:10

E liruar ditën e hënë nga një gjykatë italiane pasi u mbajt për katër vjet e burgosur për vrasjen e një studenteje britanike, Amanda Knox mbërriti ditën e sotme në tokën amerikane, ku falenderoi të gjithë ata që besuan tek ajo.

24-vjeçarja dhe i dashuri i saj italiane, Raffaele Sollecito, u shpallën të pafajshëm në apel, pasi një gjykatë e shkallës së parë i pati dënuar me 26 vjet heqje lirie secilin, për vrajsen e Meredith Kercher gjatë një loje të rrezikshme seksuale.

”Jam shumë e prekur dhe e vetmja gjë që dua të bëj është të falenderoj të gjithë ata që besuan deri në fund në pafajësinë time”, deklaroi e reja në mbërritjen e saj në Siatëll.

Ajo shtoi se dëshiron të çmallet me familjarët, përpara se të bëjë plane për të ardhmen, por gjithsesi, është i sigurt rikthimi i saj në fakultet, për të përfunduar diplomimin.

Familja Kercher u shpreh e revoltuar nga ky vendim dhe premtoi se do të vazhdojë luftën e saj për drejtësi. Ajo vuri në pikëpyetje vendimin e gjykatës, duke shprehur habinë se si ka mundësi që një vendim kaq i sigurt i shkallës së parë, të hidhet poshtë fare thjeshtë në apel.

Një juri prej tetë personash shpalli të pafajshme dyshen Knox-Sollecito, pasi u ngritën dyshime mbi praktikat e përdorura për mbledhjen e provave të ADN-së.

Top Channel