Pablo Daniel Osvaldo, sulmuesi argjentinas i Romës me pasaportë italiane, është grumbulluar nga përfaqësuesja italiane për të luajtur ndeshjet ndaj Serbisë dhe Irlandës së Veriut, të vlefshme për eliminatoret e kampionatit europian të vitit 2012.
Sulmuesi është thirrur nga Cesare Prandelli për shkak të dëmtimeve të Mario Balotelli dhe Giampaolo Pazzini.
Osvaldo ka luajtur në vitin 2008 me kombëtaren U-21 të Italisë dhe tashmë pret të debutojë me të kaltrit në një ndeshje zyrtare.
“Ky është realizimi i një ëndrre. Falenderoj të gjithë tifozët e Romës”, u shpreh Osvaldo.
Osvaldo ka luajtur më parë nën urdhrat e Prandelli kur militonte tek Fiorentina në periudhën 2007-2009. Sezonin e kaluar sulmuesi luajti për Espanyol duke shënuar 20 gola në 52 ndeshje.
25-vjeçari u transferua tek Roma në merkaton e verës për shumën e 18 milionë eurove.
Top Channel