Një grevë e përgjithshme 24-orëshe është shpallur në Greqi sot, për të protestuar ndaj programit të ri qeveritar të kursimeve dhe shkurtimeve nga puna.

Fluturimet dhe transporti hekurudhor do të ndërpriten, shkollat do të mbyllen, ndërsa spitalet do të punojnë me staf të reduktuar.

Sindikatat greke kanë bërë thirrje për një pjesëmarrje masive, për t’i treguar autoriteteve se mbështetja kundër planeve të tyre është e fortë.

Protesta e sotme është e para që prej shpalljes së një takse të re mbi pasurinë dhe shkurtimit të 30 mijë vendeve të punës nga sektori shtetëror, si pjesë e masave të detyruara për balancimin e defiçitit buxhetor.

”Njerëzit janë shumë të inatosur”, deklaroi një punonjës i shërbimit civil grek. “Kjo nuk ndodh vetëm për shkak të masave që po merr qeveria, por për shkak të të gjithë situatës, e cila duket e pashpresë. Kemi vendosur që s’mundemi më dhe duam që e gjithë kjo të përfundojë”.
Komisioni Europian do të takohet më pas gjatë ditës për të biseduar sërish rreth krizës greke dhe rreth koordinimit të sistemit bankar në Europë.

Tregjet ndërkombëtare janë prekur prej ditësh nga frika se ekonomia greke mund të falimentojë, çka ka sjellë si pasojë edhe rritjen e kostos së huamarrjes për vende të tjera me borxhe të larta.

Më parë gjatë ditës, norma italiane e kreditit pësoi një rënie në “A2”, si rrjedhojë e pasigurisë që ekziston për momentin brenda eurozonës.

Top Channel