Ndërmjetësi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper do të vizitojë të premten Beogradin dhe të hënën Prishtinën, në përpjekje për të kthyer në tryezën e bisedimeve dy palët.

Sipas gazetës serbe “Blic”, Cooper do të bisedojë me autoritetet serbe mbi temat që do të trajtohen në raundin e ardhshëm të dialogut.

“Në radhë janë energjitika, telekomunikacioni, prezantimi rajonal i Kosovës dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura më parë. Ndërsa situata në pikat kufitare të Kosovës është jashtë axhendës”, njofton gazeta serbe.

Megjithatë, gazeta shkruan se, nëse zyrtarët serbë do ta hapin cështjen e doganave në veri të Kosovës, zyrtari evropian do t’i dëgjojë pretendimet e tyre.

“Blic” njofton më tej se ndërmjetësi evropian do të takohet me ndërmjetësin serb Borko Stefanovic, ndërkohë që takimet me ministrin e Brendshëm Ivica Dacic dhe atë për Kosovën, Goran Bogdanovic nuk janë konfirmuar.

Raundi i dialogut i parashikuar për më 27 dhe 28 shtator dështoi për shkak të insistimit të Serbisë për të diskutuar për situatën në veri të Kosovës.

Top Channel