Asnjë arsye për të dalë në debat

05/10/2011 00:00

Blendi Salaj – Ftesa e Edi Ramës për një debat publik me Kryeministrin ka gjasa të forta të mbetet vetëm kaq, një ftesë.

Aksioni i ri politik i Partisë Socialiste ende nuk ka marrë një formë përfundimtare, por dallohet qartë se është një ndërrim i fortë në stil nga ajo lloj opozite që PS-ja ka bërë deri në këtë pikë. E kritikuar vazhdimisht nga ndërkombëtarët dhe mazhoranca, se nuk po bën detyrën vetë si opozitë, Partia Socialiste më në fund hoqi dorë nga bojkoti i Kuvendit, protestat dhe grevat. Kthimi në Kuvend u ka hequr kritikëve të opozitës argumentin qendror me të cilin e kanë goditur deri më tani. PS nuk është më “Parti e Bojkotit të Institucioneve” dhe as Rama nuk është më kryetari i pushtetshëm i Bashkisë së Tiranës. Tanimë Partia Demokratike dhe aleatët e saj kontrollojnë praktikisht të gjithë pushtetin, në të gjitha nivelet. Njerëzit e PD dhe LSI janë omniprezentë, në çdo zyrë dhe çdo institucion që paguhet nga taksapaguesit, sidomos në Tiranë – dhe kjo ka kostot e saj. Në mungesë të motos “Edi Rama nuk ka qenë kurrë në Opozitë” duhet formuluar një devizë e re, e qëndrueshme, por tashmë kjo është bërë më e vështirë për mazhorancën dhe analistët pranë saj.

Gjërat shkon e i vështirëson akoma më shumë Rama, i cili pas paktit me 10 pika i bën Kryeministrit një ftesë publike për debat. Një manovër politike, që më tepër sesa një debat të vërtetë ballë për ballë, ka për qëllim të dobësojë te Berisha imazhin e një njeriu që nuk zmbrapset. Në një kohë kur ritmet ekonomike të Shqipërisë janë ngadalësuar ndjeshëm dhe procesi i integrimit ka mbetur në vend, Kryeministri nuk ka asgjë për të fituar nga një debat me Ramën, përkundrazi mundet vetëm të humbasë. Masakra e 21 janarit dhe sulmet e egra mbi Prokuroren lavire dhe Presidentin horr nuk janë harruar. Në një debat mund të përmenden edhe ato deklaratat e mbushura me poshtërsi, se viktimat ishin qëlluar nga mbrapa koke me stilolapsa-pistoletë. Më tutje, kabllogramet e ambasadës amerikane që Kryeministri nuk i adresoi asnjëherë ishin një njollë e pistë për imazhin e qeverisë dhe po të shtosh këtu dhe dështimet e korrupsionin me koncesionet apo zgjedhjet aq të dyshimta të 8 majit, arsyet për të mos marrë pjesë në debat vetëm sa shtohen. Ligji për import plehrash apo tymi i zi i makinës së gjyqtarit të hedhur në erë në mes të Vlorës e ndosin akoma më shumë imazhin e Shqipërisë së ullinjve dhe arrave të Kryeministrit.

Natyrisht, Rama e di që Berisha nuk është aq naiv, sa të dalë në një debat ku do t’i duhej të luante vetëm në mbrojtje. Në një studio me Ramën ai do ta kishte të vështirë për të folur për Kristaqin, siç bën zakonisht përballë grupit parlamentar, gjithnjë të heshtur, të PD-së. Berisha është Kryeministër i vendit prej gjashtë vjetësh dhe tani që lustra e anëtarësimit në NATO, nënshkrimi i MSA-së dhe liberalizimi i vizave është venitur në sytë e shqiptarëve që ende bëjnë jetë vërtet të vështirë, mbi supet e tij rëndojnë të gjitha përgjegjësitë për dështimet.

Pesha e pushtetit e ka kërrusur Kryeministrin, kali i tij antikorrupsion ka ngordhur me kohë. Berisha i ka duart e lidhura, sepse qeveria e tij mbahet në këmbë nga votat e LSI-së, që hyri në koalicion me një uri ujku. Ai i sheh shkeljet, ai i di zullumet por në rastin më të mirë nuk ka se ç’bën, ndërsa në më të keqin, vetëm koka i mbetet mbi llum. Këtyre problemeve u shtohen edhe ato që vijnë nga Presidenca. Bamir Topi praktikisht e quajti Berishën antiqytetar, duke bërë që epiteti të lexohet mes rreshtave. Në intervistën e fundit Presidenti largoi çdo dyshim se ka ndërmend të ftojë rreth vetes të djathtët qytetarë, zotërinj Bulevardi, për t’i lënë Berishës ata të një lloji tjetër.

Kësisoj, për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste nuk mund të ketë një debat publik përballë Kryeministrit, por ka gjithsesi një perceptim se opozita po e zhvendos mazhorancën në cep të ringut. Mospranimi i një debati ka në vetvete kosto për imazhin prej kreshniku luftarak të Berishës, dhe kjo është një fitore e vogël për Ramën, të cilin, së paku, njerëzit e Berishës nuk do mund ta përqeshin se “nuk është burrë”. Gjithsesi, kjo është fare pak. Berisha ka kapërcyer 1997-n dhe Gërdecin pa i hyrë gjemb në këmbë, ndaj këto sfida të shmangura mund t’i sfumojë me ca batuta xhepi. Në fund, ky është një vend me kulturë të zbrazët politike, ku publiku fal më shumë mëkate se Jezu Krishti, e ku ka shesh për të bërë plot përshesh.

Gazeta “Shqip”

Top Channel