Afganistan, kapen komplotuesit e Karzait

05/10/2011 16:55

Shërbimet afgane të inteligjencës deklarojnë se kanë arrestuar gjashtë persona që dyshohet se po planifikonin të vrisnin presidentin Hamid Karzai.

Komplotuesit kishin rekrutuar një nga truprojat e zotit Karzai, kanë bërë të ditur autoritetet afgane pas arrestimeve.

Sipas burimeve, aktualisht po hetohet mbi lidhjet e mundshme të të arrestuarve me grupin ekstremist Haqqani.

Militantët kanë vrarë një seri figurash të profilit të lartë kohët e fundit në Afganistan.

“Një grup personash të rrezikshëm dhe të arsimuar, mes të cilëve mësues dhe studentë, donin të vrisnin presidentin Hamid Karzai”, ka deklaruar kreu i Drejtorisë Kombëtare të Sigurisë, Lutfullah Mashal.

“Për fat të keq, ata depërtuan në sistemin mbrojtës të presidentit dhe rekrutuan një prej truprojeve të tij”, ka nënvizuar zyrtari i lartë.

Zoti Mashal ka deklaruar se personat e arrestuar kanë lidhje me një anëtar të Al Kaedës dhe me rrjetin Haqqani me bazë në Uaziristanin Verior, në kufi me Afganistanin.

Autoritetet kanë saktësuar se gjashtë personat janë arrestuar një javë më parë dhe kishin bërë stërvitje intensive për të realizuar operacionin.

Një zyrtar i qeverisë afgane ka thënë për agjencinë e lajmeve “AFP” se agjencia e sigurimit po kërkon persona të tjerë të përfshirë në komplot.

Karzai ka qenë objektiv i të paktën tre tentativave për vrasje që kur u bë president i Afganistanit në vitin 2002, pas rrëzimit të regjimit të talebanëve.

Gjendja në Afganistan është tensionuar së tepërmi në muajt e fundit, sidomos pas vrasjes së negociatorit të paqes me talebanët dhe sulmit në Kabul ndaj ambasadës amerikane, selisë së NATO-s dhe asaj të policisë.

Vetë presidenti Karzai akuzoi Pakistanin se po bën një lojë të dyfishtë, ndërkohë që edhe SHBA kanë akuzuar Islamabadin zyrtar se po mbështet rrjetin Haqqani.

Top Channel