Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi i ka quajtur paradoksale barrikadat e serbëve në Veri të Kosovës, pasi sipas tij këto barrikada vështirësojnë më tepër jetën e komunitetit serb se sa të insitucioneve të Pritshtinës.

Largimi i barrikadave është obligim i policisë kosovare dhe KFOR-it ka thënë Rexhepi, por nuk ka treguar se kur do të fillojë heqja e tyre.

“Ka filluar që t’iu barrikadohet truri disa individëve dhe grupeve kriminale dhe disa njerëzve të politikës radikale. Është paradoksale që në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë i kanë bllokuar plotësisht vendkalimet dhe kjo është pengesë për të gjithë qytetarët, por në radhë të parë të komunitetit serb. Neve si institucione pak na pengon ajo shihet se sa janë veprime paradoksale dhe këtu vetëm truri i sëmurë mendon në këso gjëra. I bëjnë dëm vetes dhe atyre qytetarëve”, tha zoti Rexhepi.

Rexhepi këto komente i ka bërë në Ohër pas  një takimi me kolegen e tij maqedonase Gordana Jankulloska me të cilën ka nënshkruar marrëveshjen për formimin e  qendrës së përbashët për shkëmbim të informacioneve mes policive kufitare të dy vendeve.

“Kjo do të ndihmojë në shkëmbimin e informatave, parandalimin e krimit të organizuar, emigranicionit ilegal dhe shumë cështje të tjera. Pra ëshë një shembull i shkëlqyeshëm i bashkëpunimit rajonal mes Kosovës dhe Maqedonisë”, deklaroi ai.

Me këtë marrëveshje mes Kosovës dhe Maqedonisë kanë nisur punimet e forumit dyditor në Ohër për drejtësi dhe punë të brendshme: BE – Ballkani Perëndimor.  Në kuadër të këtij forumi është nënshkruar edhe marrëveshja për lëvizjen e qytetarëve të Serbisë dhe Maqedonisë pa pasaporta.

Top Channel