Itali, familja Kercher e indinjuar

04/10/2011 09:10

Familja e studentes britanike të vrarë, Meredith Kercher, është shprehur e indinjuar pas vendimit të Gjykatës italiane të Apelit për lirimin e shtetases amerikane Amanda Knox dhe të dashurit të saj italian, Raffaele Sollecito.

“Nuk e kuptojmë se si vendimi origjinal u përmbys tërësisht. Megjithatë, ne besojmë tek drejtësia italiane dhe shpresojmë se e vërteta do të dalë në dritë”, është shprehur familja Kercher, në Peruxha për të ndjekur procesin.

Vëllai i Meredith, Lyle, ka deklaruar se tani gjithcka duhet të nisë nga e para për të zbuluar se cfarë ndodhi me të vërtetë ditën e vrasjes së motrës së tij.

“Përmbysja e vendimit ngre shumë pikëpyetje. Më duket sikur jemi kthyer në pikën e nisjes. Kërkimet vazhdojnë për të zbuluar se cfarë ndodhi atë natë”, ka thënë zoti Kercher.

Më herët para vendimit, familja britanike kishte deklaruar se vajza e saj ishte lënë në harresë për shkak të publicitetit mbi apelin e Amanda Knox, e cila e përlotur deklaroi në gjykatë se nuk kishte vrarë njeri dhe se dëshironte të kthehej në shtëpi.

Ndërkohë, prokurorët e cështjes do të apelojnë vendimin në gjykatën më të lartë të Italisë, edhe pse ka pak gjasa që Knox të ekstradohet në Itali nga SHBA.

Një juri me tetë anëtarë shfajësoi nga të gjitha akuzat dy të pandehurit për vrasjen e zonjushë Kercher pas dyshimeve të ngritura mbi mënyrën e mbledhjes së ADN-së.

Tani, pas 4 vjet burg, studentja amerikane është e lirë dhe po bëhet gati të kthehet në shtëpinë e saj në Shtetet e Bashkuara. “Ajo vuajti katër vjet në burg për një krim që nuk kishte kryer”, tha familja e saj pas vendimit.

Vrasja e Meredith, e ndodhur në vitin 2007, tronditi Itlainë dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës. Për ndjekjen e vendimit të Gjykatës së Apelit, në qytetin e Peruxhas ishin mbledhur plot 400 gazetarë nga e gjithë bota.

Ndërkohë, mësohet se Knox do të dëmshpërblejë me 22 mijë euro pronarin e një bari, Patrick Diya Lumumba, për të cilin tha se kishte kryer vrasjen e shoqes së saj të dhomës.

Top Channel