DY Koretë, Jugu s’do të ndihmojë Veriun

04/10/2011 16:35

Korea e Jugut informoi ditën e sotme se ka tërhequr një paketë ndihmash ekonomike për Korenë e Veriut, pasi oferta e tyre nuk ka marrë prej kohësh një përgjigje nga Peniani zyrtar.

Seuli ofroi më parë një ndihmë prej pesë milion dollarësh në ushqime dhe medikamente, për fqinjët e varfër komunistë, të prekur nga stuhira shkatërrimtare gjatë verës.

Megjithatë, qeveria e Jugut vendosi si kusht dërgimin e ndihmave me kamionë të saj dhe jo dërgimin e kësaj shume bruto, nga frika se ajo mund të ndërronte destinacion dhe të përdorej për qellime ushtarake.

Nëse ndihma do të ishte pranuar nga Peniani, ky do të kishte qenë bashkëpunimi i parë midis dy qeverive, që prej incidenteve ushtarake të vitit të shkuar, të cilat për pak provokuan një konflikt të armatosur midis dy shteteve.

Korea e Veriut ka patur vazhdimisht nevojë për ndihma ushqimore për të plotësuar nevojat e popullatës së saj prej 22 milion banorësh që prej fundit të viteve 1990, kur ekonomia e sistemit komunist u zhyt në kolaps, si rrjedhojë e shpenzimeve të vazhdueshme ushtarake dhe moslejmit të iniciativave private në vend.

Top Channel