Shqiptarët mund të zgjohen më të pasur nga censusi

03/10/2011 08:15

Në përfundim të procesit të censusit, shqiptarët mund të zgjohen nominalisht më të pasur.

Sipas gazetës ‘Shqip’, të dhëna indirekte sugjerojnë që popullata aktualisht prezente në Shqipëri është më e vogël se sa ajo e raportuar nga regjistri i popullatës dhe se pjesëtimi i Prodhimit të Brendshëm Bruto me një popullatë më të vogël, do të japë PBB për frymë më të lartë se sa kuota aktuale prej 4130 dollarësh.

Por ka gjithashtu një mundësi të vogël që popullata të rezultojë më e madhe nga ajo e vlerësuar aktualisht dhe rrjedhimisht shqiptarët të dalin me PBB për frymë më të vogël.

Regjistri civil i popullatës mban shënim numrin e lindjeve dhe numrin e vdekjeve. Sipas këtij dokumenti, në vitin 2010, në Shqipëri kishte 3.2 milionë njerëz. Por regjistri civil, i cili në Shqipëri është mbajtur që nga viti 1929, nuk përfshin shqiptarët që kanë emigruar gjatë dekadës së fundit dhe nuk kanë raportuar ndryshimin e vendbanimit të tyre.

Regjistri nuk përfshin as banorët që jetojnë ilegalisht në një vend, si p.sh, emigrantët, të cilët në rastin e Shqipërisë janë në shifra të papërfillshme. Për të zbuluar se sa shqiptarë janë larguar nga Shqipëria në emigrim afatgjatë, INSTAT-i po kryen këto ditë censusin, ku shqiptarët do të numërohen një më një pranë banesave të tyre. Rezultatet paraprake të censusit do të kërkojnë disa javë kohë para se të publikohen.

Ndërkohë, të dhënat e Institutit të Statistikave mbi numrin e shqiptarëve që kanë kaluar pikat kufitare të vendit gjatë dekadës së fundit, tregojnë se numri i daljeve është më i lartë se sa numri i hyrjeve.

Vetëm për vitet 2006-2009, për të cilat të dhënat janë të publikuara në botimin “Shqipëria në Shifra 2010” të Institutit të Statistikave, numri i shqiptarëve që kanë hyrë në vend është 388 mijë më i vogël se sa numri i shqiptarëve që kanë dalë nga vendi. Këtu nuk përfshihen mijëra shqiptarët që kanë dalë ilegalisht nga vendi. Kjo statistikë sugjeron se emigrimi ka vijuar me ritëm të konsiderueshëm gjatë dekadës së fundit dhe se popullata prezente në Shqipëri është më e vogël.
 
Nga ana tjetër, një vrojtim i kryer nga Instituti Agenda mbi emigrimin, tregon se rreth 25 për qind e shqiptarëve që jetojnë aktualisht jashtë vendit, kanë emigruar gjatë pesë viteve të fundit. Kjo tregon se emigrimi vijon të jetë një fenomen masiv për shqiptarët, gjë që ul popullatën e pranishme në vend.

Shqipëria numëronte zyrtarisht rreth 3.7 milionë banorë në vitin 2001, para kryerjes së Regjistrimit të Përgjithshëm të Popullatës dhe Banesave në prill 2001. Prodhimi i Brendshëm Bruto që në atë kohë ishte më pak se 4.1 miliardë dollarë, pjesëtohej me numrin e popullatës për të dalë te PBB për frymë prej vetëm 1 mijë dollarësh. Por pas censusit, Shqipëria rezultoi më pak se 3.1 milionë banorë dhe rrjedhimisht, e njëjta PBB u pjesëtua me numrin e popullatës banuese dhe dha PBB për frymë prej 1300 dollarësh, ose rreth 30 për qind më shumë.
 
Shqipëria ka këtë vit Prodhim të Brendshëm Bruto prej 13.3 miliardë dollarësh dhe 3.2 milionë banorë. Bazuar në këto shifra, PBB për frymë rezulton 4130 USD. Por në rast se pas censusit Shqipëria rezulton të ketë, fjala vjen, 2.9 milionë banorë, atëherë PBB për frymë do të rritet në 4600 USD për frymë.
Aktualisht Shqipëria është vendi më i varfër në kontinentin Europian me përjashtim të Kosovës. Bosnja është më pranë nivelit tonë me 4700 USD Prodhim të Brendshëm Bruto për frymë, ndërsa Maqedonia ka PBB për frymë prej pak më shumë se 5 mijë dollarësh amerikanë. Të dhënat për PBB raportohen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Prodhimi i Brendshëm Bruto mat vlerën e mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në një vend gjatë vitit kalendarik, por nuk nënkupton të ardhurat reale të popullatës, pasi nuk merr parasysh se në xhepat e kujt përfundojnë të ardhurat nga PBB. Kështu në rastin e Shqipërisë, PBB përfundon njëherazi në xhepat e shqiptarëve të zakonshëm në formën e pagave apo fitimeve nga bizneset e vogla, në xhepat e shqiptarëve të pasur, si dhe në xhepat e investitorëve të huaj. Këta të fundit vlerësohet se fitojnë qindra milionë dollarë në vit në Shqipëri dhe këto para, pavarësisht se llogariten te PBB-ja e shqiptarëve, nuk hyjnë në xhepat e tyre. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për fitimet e klasës së pasur, pasi Shqipëria rezulton një vend me përqendrim të lartë të të ardhurave kombëtare në pak duar. Për këtë arsye, rritja e PBB-së për frymë për shkak të censusit, mund t’i nxjerrë shqiptarët më të pasur, por vetëm në teori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA