Niveli i depozitave në banka në muajin gusht u rrit me vetëm 19.7 miliardë lekë gjatë këtij viti, duke zhgënjyer bankat, të cilat gjatë verës rrisin fondet për reklama dhe tentojnë të joshin emigrantët depozitues me oferta për interesa më të larta se zakonisht, bën të ditur gazeta ‘Shqip’.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në gusht 2010, depozitat u rritën me 26.6 miliardë lekë, ndërsa në gusht 2009 qenë rritur me 25.3 miliardë lekë. Gushti është muaji më i mirë për bankat në drejtim të mbledhjes së depozitave në rastin e Shqipërisë, por gushti 2011 dha rezultate më të dobëta se zakonisht.
Shkaku kryesor i gushtit të dobët, sipas ekspertëve të bankave, mund të jetë fakti që depozitat janë rritur më shumë se zakonisht në muajt e parë të këtij viti.
Rritja e shpejtë e depozitave në gjashtëmujorin e parë 2011, i dedikohet pjesërisht krizës greke dhe emigrantëve që të trembur nga fati i bankave në Greqi ia besuan kursimet e veta bankave në Shqipëri dhe pjesërisht, si pasojë e rënies së konsumit të brendshëm të popullatës në vend.
Gushti dha një rritje të dobët edhe të portofolit të kredive nëpër banka, ndërkohë që treguesi i kredive të këqija nuk është publikuar ende.
Top Channel