Presidenti i republikës Bamir Topi theksoi rolin e rëndësishëm të
Kuvendit të Kosovës e të partive politike parlamentare, maturinë dhe
bashkëpunimin mes palëve, pavarësisht mendimeve apo orientimeve të
ndryshme politike, çka vlen si shembull për të forcuar bashkëpunimin
ndërinstitucional e ndërparlamentar për të realizuar synimin e dy
vendeve tona ndaj vlerave dhe aspiratave të përbashkëta euroatlantike.
Deklarata u dha gjatë një takimi me delegacionin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari i këtij Komisioni dhe drejtuesi i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.
Nga ana e tij, kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Komisionit të Punëve të Jashtme që përfaqësonin Partinë Demokratike të Kosovës, Aleanca për Ardhshmërinë e Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës si dhe Koalicionin për Kosovën e Re nëpërmjet Partisë për Drejtësi, duke e falenderuar Presidentin Topi për pritjen e ngrohtë e vëllazërore, vlerësuan lart kontributin personal e të efektshëm të Presidentit Topi dhe të institucioneve të Shqipërisë për mbështetjen e pakursyer dhe përpjekjet e vazhdueshme për rritjen e numrit të njohjeve të shtetit të ri të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Top Channel