Grupi i Këshilltarëve të “Aleancës për të Ardhmen” ka denoncuar me anë të një prononcimi publik, mosthirrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak, të kërkuar nga ana e tyre për një rast të cilësuar si “shumë të rëndë”, atë të dhunimit të dy inspektoreve të tatimeve në zyrat e shtetit.
Gjatë deklaratës, këshilltarët e majtë kanë deklaruar se, ka dy muaj që këshilli nuk mblidhet as në takimin e radhës, duke shkelur ligjin e rregulloren, sepse organizatorët kanë frikë të diskutojnë për cështje madhore që shqetësojnë gjithë opinionin publik.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se, kryetari i Bashkisë dhe kreu i Këshillit Bashkiak nuk pyesin për zërin e qytetarëve, duke marrë në mbrojtje njerëz që ushtrojnë dhunë nën uniformën e shtetit.
Ngjarja u denoncua më 6 shtator. Policia bashkiake e Tiranës dhe dy inspektoret e tatimeve të bashkisë u përfshinë në konfrontime fizike lidhur me largimin e tyre nga zyra.
Nënpunëset thanë se prisnin vendimin e largimit, por theksuan se u ishte kërkuar të dilnin më shpejt. Ato pretendonin se gjithcka ishte e qëllimshme për shkak të angazhimit të tyre si përfaqësuese të Partisë Socialiste gjatë procesit zgjedhor.
Inspektoret ngritën një padi në prokurorinë e Tiranes kundër drejtorit të policisë bashkiake, e cila kërkoi nga gjykata pezullimin e tij.
Por kjo e fundit javën e kaluar e rrëzoi këtë kërkesë. Gjyqtarja që shqyrtoi cështjen, Rezarta Vigani, e cilësoi si të pabazuar kërkesën e organit të akuzës ndaj zyrtarit të bashkisë.
Vetë Florenc Hoxha, në reagimin e tij pas seancës deklaroi se gjykata kishte marrë vendimin më të drejtë.
Top Channel