Presidenti rus Dmitry Medvedev ka deklaruar se kishte vendosur të mos garonte për një mandat të dytë pasi parardhësi i tij Vladimir Putin është më popullor dhe më autoritar.
“Por kjo nuk do të thotë se rezultati i zgjedhjeve të ardhshme ishte i paracaktuar”, ka deklaruar Medvedev në intervistën e parë që nga publikimi i planit për të shkëmbyer postet me Putin.
Synimi i Putin për t’u kthyer në krye të shtetit, post të cilin e ka drejtuar nga viti 2000 në 2008, ka acaruar opozitën e dobët të vendit.
Por zoti Medvedev tha për televizionin publik rus se, qeveria e re do të rinovohet me fytyra të reja.
“Do të ketë një rinovim të boshtit të qeverisë, që do të bazohet tek personat e rinj. Kjo është shumë e rëndësishme”, ka thënë ai.
Më parë zoti Medvedev kishte kritikuar “stanjacionin” e politikës ruse, që dominohet nga partia Rusia e Bashkuar, duke thënë se po dëmton si pozitën ashtu edhe opozitën.
Por Rusia e Bashkuar ka aprovuar propozimin e Putin që Medvedev të kryesojë listën partiake në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit dhe të bëhet kryeministër pas zgjedhjeve presidenciale.
Rezultat i pashmangshëm? Në intervistë presidenti aktual i Rusisë tha se vendimi për të shkëmbyer rolet është marrë disa vite më parë, por ai e kishte mbajtur të hapur opsionin për të garuar sërish për president në vartësi të popullaritetit të tij.
Megjithatë, ai theksoi: “Kryeministri Putin është padiskutim politikani më autoritar në vendin tonë dhe popullariteti i tij është disi më i lartë”.
Korrespondenti i BBC në Moskë e komenton intervistën si një përpjekje e Medvedev për të treguar se nuk është një kukull e Putin, që ka mbajtur ngrohtë karriken e presidentit derisa ai të rikthehej në krye të Kremlinit.
Top Channel