Situata në Libi ka nxjerrë në dritë kapriçot e liderit Muamar Gaddafi. Një nga ekstravagancat e shumta që lideri i lejonte vetes ishin edhe koncertet personale që këngëtarët më në zë të botës jepnin vetëm për të dhe njerëzit e tij të besuar në këmbim të shifrave astronomike.
Disa nga këta këngëtarë kanë vendosur që këto para të fituara nga një njeri që ka përdorur metoda aspak demokratike t’i dhurojnë për çështje fisnike.
Ky është rasti i Nelly Furtado, e cila mori 1 milion dollarë për një performancë 45 minutëshe në një hotel italian për Gaddafi-n dhe stafin e tij.
Kur shpërthyen revoltat në Libi, Furtado shkroi në Twitter se do të jepte për bamirësi këtë shumë të fituar, por pa dhënë detaje të tjera. Tashmë është mësuar qëllimi i kanadezes. Këngëtarja do të dhurojë paratë për ndërtimin e një shkolle për fëmijët në Kenia.
Nelly Furtado nuk është e vetmja që është paguar nga Gaddafi për koncertet e tij ekskluzive. Beyonce, Mariah Carey, 50 Cent dhe Usher janë disa nga këngëtarët e tjerë që kanë performuar për familjen e Kolonelit.
Top Channel