Meksikë, gjenden 5 koka të prera në Akapulko

28/09/2011 17:15

Policia meksikane ka gjetur pesë koka të prera në gjendje dekompozimi, të futura në një thes të braktisur jashtë shkollës kryesore të Akapulkos.

Në thes u gjetën gjithashtu mesazhe të shkruara me dorë, përmes të cilave kërcënohej guvernatori i shtetit dhe lordët lokalë të drogës.

Ende nuk dihet nëse kokat e zbuluara i përkasin disa trupave të tjerë të coptuar, të gjetur në zona të tjera të vendit.

Autoritetet dyshojnë se akti i rëndë kriminal mund të jetë i lidhur me kërcënimet që u janë bërë mësuesve të shkollës ku u gjetën kokat, të cilat kanë si qëllim zhvatjen e parave të tyre.

Dhjetra shkolla në Meksikë janë mbyllur muajin e kaluar pasi mësuesit hynë në grevë për shkaqe sigurie.

Policia u thirr në një rrugë në Garita, në afërsi të Akapulkos të martën në mëngjes. Aty agjentët gjetën një thes të vendosur në një arkë druri fare pranë shkollës dhe brenda tij kokat e pesë burrave, si dhe mesazhet kërcënuese.

Më herët policia kishte gjetur pesë trupa pa kokë në një zonë tjetër të qytetit, disa brenda dhe disa jashtë një makine të djegur.

Akapulko, që ndodhet në brigjet e Paqësorit, ka parë një rritje të akteve të dhunës, e cila u atribuohet bandave të drogës që luftojnë për kontrollin e qytetit.

Por, ndërkohë që ofensiva e qeverisë ndaj karteleve vazhdon, organizatat kriminale këtu dhe në pjesë të tjera të vendit po rrisin ndjeshëm aktivitetin e zhvatjes së pasurisë me anë të dhunës.

Muajin e kaluar, me nisjen e sezonit të ri shkollor, disa dhjetra mësues në Akapulko deklaruan se bandat i kishin kërcënuar me dhunë nëse nuk do t’u dorëzonin gjysmën e rrogës së tyre duke filluar nga një tetori.

Që atëherë, mësuesit dhe kolegët e tjerë kanë nisur një grevë, duke cuar në mbylljen e më shumë se 100 shkollave.

Autoritetet kanë premtuar një seri masash, si rritjen e patrullimit të policisë dhe instalimin e kamerave të sigurisë në shkolla, por mësuesit thonë se druhen për jetën e tyre dhe të nxënësve.

Një nga mësuesit grevistë tha për BBC, se, edhe pse masat në fjalë janë mirëpritur, arsimtarët nuk presin që situata të ndryshojë menjëherë.

Top Channel