Dje doli në treg një libër nga Leonard Bombaj. Shumë pak dinin që ai po shkruante, por sapo u mor vesh lajmi, interesi ka qenë shumë i madh nga mediat.
Arsyeja pse libri “Në emër të Atit, Bijës dhe Shpirtit të Zbathur” pati një interes kaq të madh është fakti që këtu rrëfehet një histori. Është një ngjarje që bëri bujë në media në maj të këtij viti.
Bëhet fjalë për një akuzë të ngritur nga ish-nxënësja e Leonard Bombajt për përdhunim. Në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’, Bombaj rrëfehet duke treguar të vërtetën e tij.
“Historia e librit nuk mund të përcaktohet sa përqind është e vërtetë dhe sa trillim, por lëkundjet e shpirtit janë të vërteta. Ky libër u nis si histori personale, por brenda nxjerr një realitet të Shqipërisë që është një shoqëri ku hidhet baltë mbi këdo”, shprehet Bombaj.
Artisti e konsideron vajzën që e akuzon për përdhunim si një adoleshente-kamikaze: “Nuk është historia e një adoleshenteje të zakonshme, por të jashtëzakonshme. Ajo është një adoleshente-kamikaze sepse doli nga shkolla e artit dhe shkatërroi gjithçka siç bëri Bin Ladeni me Kullat Binjake. Pjesa më e frikshme është se si ka mundësi që një personazh 15 vjeç mund të mashtrojë kaq mirë në këtë moshë. Gjithsesi, nuk është shumë zotësia e të voglit që mashtron të rriturin, por mendja zero e të rriturve.”
Përsa i përket botimit të librit, Bombaj u shpreh i bindur se ka vepruar mirë: “Unë jam i bindur që kam bërë gjënë e duhur me këtë libër. Nuk kam qenë talent i madh, por guxova t’i hyja botës së artit kur pashë mediokritetin që kishte rreth e rrotull dhe sërish është guximi ai që më bëri të botoj këtë histori.”
Bombaj nuk pranoi të fliste në mënyrë të drejtpërdrejtë për akuzat ndaj tij duke thënë se ia ka lënë gjithçka në dorë organeve kompetente, por theksoi se është i qetë: “Heshtja ime ka të bëjë me respektin ndaj institucioneve kompetente dhe gjithashtu nuk dua të përfitoj nga privilegji që jam para kamerave për të treguar disa gjëra. Dua të them vetëm se unë jam i shpëtuar që në 24 orët e para që kur ka ndodhur ngjarja. Historia është konsideruar çështje delikate dhe jo vetëm nga përballja e një adoleshenteje me një artist. Unë kërcënohesha gjatë gjithë kohës se do më shkatërronin duke më nxjerrë në media. Unë kam qenë gjithmonë i qetë. Kur doli në media lajmi herën e parë unë kam pasur shumë telefonata sepse ishin personalitete që më mbështetën duke më dhënë një panoramë se si do të reagonte opinioni. Publiku do e kuptonte se kush ishte viktima në këtë ngjarje.”
“Unë, si të gjithë njerëzit, kam një biografi. Ai që është pervers lë shenja që nuk i fsheh dot. Problemi është se varfëria e vajzës më bëri të dhembshur ndaj saj dhe kjo dhembshuri e imja është “përdredhur” nga mediat. Nëse ke marrëdhënie që ka brenda dhembshuri, dedikim dhe dashuri profesionale është e lehtë të keqkuptohet. Kjo është e gjitha”, tha Bombaj në lidhje me marrëdhënien e tij me 15-vjeçaren, të cilën ai kishte në plan ta bënte një Hannah Montana shqiptare.
“Kjo histori më ka dëmtuar moralisht, nga ana shëndetësore dhe ekonomike. Një nga dëmet më të rëndësishme është se kishim një projekt 250 mijë eurosh dhe ky projekt u bllokua për shkak të kësaj historie. Ishin 100 fëmijë me këngë në duar dhe prindër që kishin harxhuar para për këngët dhe unë isha fajtori kryesor që ky projekt u ndërpre”, përfundoi Bombaj.
Bashkëshortja e Bombaj: Nuk kam dyshuar kurrë tek Nardi
Kur e keni marrë vesh historinë?
Ishte vetëm 2 javë para lindjes së vajzës. Ishte shumë e rëndë dhe shokuese, por besoj se e kam përballuar mirë.
Si e keni përjetuar ngjarjen?
Kjo ishte një sprovë edhe një herë tjetër për lidhjen tonë dhe e kam kaluar mirë këtë situatë.
A keni dyshuar tek jeta profesionale?
Nuk kam dyshuar kurrë në atë që Nardi do të bënte si artist. Kjo histori vetëm sa i dha më shumë forcë.
Sa e keni besuar historinë?
Unë kam besuar atë që ka ndodhur realisht dhe ajo që ka ndodhur realisht është ajo që ka ndodhur në libër. Nuk ka asnjë histori tjetër. Nuk kam dyshuar kurrë tek bashkëshorti im.
Bumi mediatik
Të krijon një pështjellim dhe të bën ta shikosh më me neveri atë që ndodhi, por nuk do të lejoj që kjo gjë të prishë harmoninë e familjes sime.
Top Channel