Askush nuk do ta mendonte se jeta personale dhe profesionale do “të tronditeshin” një ditë nga ajo që në shtypin e shkruar është njohur si “çështja Bombaj”.
47-vjeçari, babai i dy fëmijëve, rebeli i viteve `90, që në rininë e hershme thoshte “I`m Jim Morrison”, me heshtjen e tij të plotë, gati pas 20 vjetësh, e përktheu slloganin e tij “Who am I” (“Kush jam unë”). Për publikun e gjerë, historia nisi në 31 maj, ku në një prej gazetave shkruhej: “Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda urdhëron policinë të kryejë arrestimin e katër të rinjve: Arkimed Lushaj, Elis Basha, Roland Kurti dhe Sebastian Ukcama, të akuzuar për veprën penale të “gjobvënies” ndaj shtetasit Leonard Bombaj, regjisor dhe prezantues televiziv.
Urdhëri kishte mbërritur në Policinë e Tiranës, të premten e 27 majit, dy ditë përpara publikimit të lajmit. Në këtë mënyre nisi publikimi i historisë.
Por, hetimet ku bazohej akuza për katër të rinjtë, nisën në shtator të vitit 2010, kur Prokuroria mori dy padi të ardhura nga Komisariati Nr. 1: njëra e bërë nga Leonard Bombaj, për kanosje ndaj tij dhe tjetra, një ditë më vonë, kundër Bombajt për “marrëdhënie seksuale me dhunë” me një vajzë të mitur. Kjo e fundit ia ka rrëfyer historinë e raportit me Bombaj, Arkimed Lushës, i njohur me emrin e artit “Stresi”, me të cilin kishte lidhje shoqërore.
Më 6 maj, Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda që 4 të rinjtë e dyshuarit të hetoheshin nën masën e sigurisë “arrest me burg”.
Por, kërkesa nuk u pranua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Ajo vendosi masën e sigurisë detyrim për paraqitje për Stresin dhe shokët e tij. Me këtë argumentim nuk ka qenë dakord Prokuroria, e cila e ka apeluar vendimin dhe ka kërkuar masën e arrestit me burg që është marrë në konsideratë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.
Ndërkohë, “kallëzimi për përdhunim” i vajzës për Bombajn shkoi drejt rënies. Sipas Prokurorisë, mungonin provat që mbështetin kallëzimin. “Në bazë të akt-ekspertimit mjeko-ligjor nr. 946, datë 06.09.2010, mbi ekzaminimin e shtetases, në të cilin thuhej se 15-vjeçarja kishte “deflorim të vjetër”.
“Nuk e kam prekur vajzën!”
Kjo ishte deklarata e parë e regjisorit Bombaj, pas publikimit të skandalit. Për gazetën “Shekulli” Bombaj pohon: “Nuk e kam prekur vajzën dhe e gjithë kjo është sajesë”. Në këtë moment jeta e regjisorit Bombaj shndërrohet në një film, ku ai nuk është tërësisht regjisor, por protagonist së bashku me 15-vjeçaren, aktore e “Siera Film”.
Ndërsa Bombaj flet për një gjobë “kërcënuese” prej 20 mijë eurosh e sekuestrim automjeti, me kusht kthimin e tij kundrejt 5 mijë eurove, Arkimed Lushaj mohon gjithçka, duke akuzuar Bombajn për “shpifje”, ndërsa akuzat e regjisorit i konsideron aspak personale.
Kështu konflikti zhvendoset mes Bombaj e Stresit, ndërkohë që 15-vjeçarja mbetet në hije, për “fatin” e së cilës pritet të vendosë drejtësia.
Top Channel