Ja pse Carla Bruni u dashurua me Nicolas Sarkozy

27/09/2011 17:40

Një nga burrat më të fuqishëm të botës, Nicolas Sarkozy, ka bërë për vete një nga femrat më të dëshiruara, Carla Bruni, sepse është i apasionuar pas botanikës.

“Kur bënim shëtitje në oborret e Elizeut, Nicolas dinte të gjithë emrat latine të luleve dhe detajet mbi trëndafilat dhe tulipanët. Thashë me vete: duhet të martohem me këtë njeri, është president dhe di gjithçka mbi lulet. Është e pabesueshme!”, është shprehur Bruni në një intervistë për BBC.

Në intervistë, ish-modelja dhe këngëtarja italiane rrëfen se Sarkozy do të vazhdojë të punojë edhe pas përfundimit të eksperiencës si president i Francës sepse ai “është një njeri shumë aktiv”.

Përsa i përket ndryshimit të jetës së saj që kur është martuar me Sarkozy, Bruni theksoi: “Më ndryshoi krejtësisht. Axhenda e Nicolas është shumë e ngjeshur, por gjithmonë gjejmë kohë për njëri-tjetrin.”

Carla Bruni pritet të lindë gjatë muajit tetor, por gjatë intervistës ajo nuk foli shumë për këtë temë: “Është diçka e mrekullueshme për mua, por shumë femra presin fëmijë dhe nuk mendoj se shtatzania ime përbën interes për francezët.”

Top Channel