Gorbachev, i shqetësuar për Rusinë

26/09/2011 16:45

Lideri i ish-Bashkimit Sovietik, Mikhail Gorbachev ka paralajmëruar se Rusia rrezikon të hedhë dëm gjashtë vjet nëse kryeministri Vladimir Putin do të kthehet në rolin e presidentit, sic ka gjasa të ndodhë në muajin mars.

Duke reaguar ndaj lajmit se Putin do të garojë për Kremlinin në vitin 2012, zoti Gorbachev tha se Rusia ndodhet në një “rrugë pa krye” dhe u shpreh skeptik mbi mundësinë që Putin të sjellë ndonjë ndryshim.


Putin tha të shtunën
në kongresin e partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, se do të garonte sërish. Nëse ai do të zgjidhet, presidenti aktual Dmitry Medvedev mund ta zëvendësojë atë si kryeministër.

Putin kreu dy mandate si president para se Medvedev të zinte vendin e tij në vitin 2008. Atij i ndalohej me kushtetutë që të garonte për një mandat të tretë rresht.

Zoti Gorbachev tha se shpresonte që lëvizja e Putin do të sillte një nxitje për lidershipin rus për ta nxjerrë vendin nga “rruga pa krye”, por kjo ka pak gjasa të ndodhë nëse ka qenë ai që e krijoi këtë situatë.

“Mund të supozojmë se nuk do të ketë hapa përpara nëse nuk do të ketë ndryshime serioze në vijat e zëvendësimit të të gjithë sistemit”, shkruan Gorbachev në gazetën opozitare “Novaya Gazeta”, tek e cila është aksioner.

“Pa një lëvizje të tillë ne mund të cojmë dëm gjashtë vjet. Mendoj se presidenti i ardhshëm duhet ta mendojë këtë gjë seriozisht”, shtoi ai.

Vendimi i zotit Putin do të thotë se ai mund të qëndrojë në presidencë deri në vitin 2024, duke bërë që gazeta opozitare të publikojë impresionet e artistëve se si ai, zoti Medvedev dhe politikanë të tjerë mund të duken në atë vit.

Ata paraqiten në këto publikime të veshur me kostume të zbukuruar me medalje, duke kujtuar epokën e vjetër sovietike.

Top Channel