Dreambox, aksion në Itali

26/09/2011 20:25

Departamenti i policisë postare dhe të komunikacionit në Itali ka akuzuar 39 persona për mashtrim informatik dhe shkelje të së drejtës së autorit.

Bëhet fjalë për tregtarë dhe specialistë që zbulonin nëpërmjet internetit kodet e kanaleve satelitore me pagesë.

Duke shfrytëzuar programe të posaçme kompjuterike dhe kode abonimi me Sky dhe Mediaset, ata ia kishin shitur këto kode një numri të madh abonentësh.

Praktikisht kjo procedurë bënte të mundur që një paketë programesh të shihej në mënyrë të paligjshme nga një numër i madh përdoruesish, të cilët paguanin një shifër shumë më të ulët se abonimi i rregullt.

Pas hetimeve mendohet se ka disa mijëra persona që kanë blerë abonime që mund të cilësohen si të bashkëndara me të tjerë dhe janë në program kontrolle të imëta në zonat e Lacios, Sicilisë, Piemontes dhe Emilia Romanjës, ku ky aktivitet duket se ka patur shtrirje më të madhe.

Policia bën të ditur se kjo ështe vetëm faza e parë e hetimeve të cilat tani po i kapërcejnë kufijtë e Italisë e po zgjerohen deri në Gjermani e Zvicër.

Top Channel