Doganat e Kosovës njoftojnë se më në fund në Serbi kanë hyre kamionët e parë me dokumentacionin e Kosovës.

“Janë lejuar katër kamionët e parë. Ata e kanë kaluar kufirin dhe janë zhdoganuar, i kanë përfunduar të gjitha procedurat e zhdoganimit përmes pikës kufitare “Dheu i Bardhë”, me dokumente të Kosovës dhe përmes pikës kufitare në anën e Serbisë”, deklaroi zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci për radion Europa e Lirë.

Që nga 16 shtatori, kur me marrëveshjen e arritur në Bruksel, Prishtina hoqi masën e reciprocitetit, në Kosovë kanë hyrë më shumë se 700 kamionë nga Serbia.

Ndërkaq, sot pas 11 ditësh, këta 4 kamionë janë të parët që lejohen të hyjnë në Serbi, meqë edhe pas marrëveshjes për pranimin e vulave doganore, autoritetet serbe nuk lejuan hyrjen e kamionëve me dokumentacione të Republikës së Kosovës.

Zv/kryeministrja Mimoza Kusari-Lila kishte paralajmëruar rikthimin e masave të reciprocitetit nëse Serbia vazhdon të mos pranojë vulat doganore të Kosovë.

Top Channel