Edicioni i dytë i festivalit të filmit 48 orësh

23/09/2011 19:50

Vitin e kaluar u zhvillua për herë të parë në Shqipëri festivali i filmit 48 orësh. Mos u keqkuptoni nga emri pasi nuk zgjat aq filmi, por realizimi i tij bëhet brenda një fundjave, ndërsa gjatësia e pelikulës është diku mes 4 dhe 7 minutave.

Pa shumë zhurmë, gati gati nën një heshtje shtypi ka filluar edhe edicioni i dytë i këtij aktiviteti që ka në qendër kineastët e rinj.

Projekti është shumë i përhapur në shumicën e kryeqyteteve të botës. Robert Aliaj ashtu si vitin e kaluar ishte në krye të festivalit.

Për të kuptuar diçka rreth strukturës së aktivitetit me emër të çuditshëm disa nga statistikat e vitit të kaluar e krijojnë idenë e synimit që është mbi të gjitha iniciativa për të krijuar kinematografi.

U krijuan 28 grupe filmike dhe u finalizuan 16 filma të rinj, ku shumica ishin talente të reja pa përvojë praktike, u angazhuan 200 kineastë; regjisorë, producentë, aktorë, skenaristë, kameramanë etj. Filmi fitues i edicionit të parë “Çifti i lumtur”, një eksperimentim në zhanrin e filmit “Mockumentary”.

Por të 200 kineastët e angazhuar në edicionin e kaluar dhe ata që do të ritentojnë këtë vit, synojnë të gjithë tregun ndërkombëtar dhe festivalet e huaja.

Filmat kanë të gjithë si sfond Tiranën dhe tematikat janë sociale dhe të fokusuara në aktualitet, goxha ekuacion apo jo?

Top Channel